Rajon
Gjykata Speciale në Hagë, Xhok Kovej dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit
30.09.2025 14:13
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Hashim Thaçit, amerikani Xhok Kovej...

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Hashim Thaçit, amerikani Xhok Kovej, ka filluar dëshminë e tij. Kovej ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner, gjatë viteve 1999–2001. Kovej deklaroi se UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e organizuar, ku komandantët në terren kishin autonomi të gjerë. Ai theksoi se nuk kishte strukturë të qartë komanduese dhe se çdo komandant vepronte sipas vullnetit në zonën e tij. I pyetur për marrëdhënien mes Hashim Thaçit dhe Azem Sylës (Çekut), Kovej tha se nuk ka parë ndonjërin t’i jepte urdhra tjetrit dhe se silleshin me rezerva.
“Sipas asaj që kam parë, ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin, nuk më kujtohet qartë nëse kanë shkëmbyer fjalë njëri me tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë, sigurisht asnjëherë nuk e kam parë njërin që t’i jepte urdhër apo udhëzime tjetrit. Më dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin dhe sipas përvojës sonë rrallë herë i kemi parë në njërën dhomë së bashku.”, - deklaroi dëshmitari, Xhok Kovej.
Po ashtu, ai tha se UNMIK-u nuk e kishte trajtuar Thaçin si komandant të UÇK-së, pavarësisht një letre me nënshkrimin e tij që i ishte dërguar Kushnerit në kuadër të procesit të çarmatosjes. Sipas tij, letra e Thaçit dukej si një gjest për t’i shërbyer interesave të tij politike dhe nuk pati ndonjë ndikim praktik apo përgjigje nga UNMIK-u, pasi çështja ishte në mandatin e KFOR-it.
“Mu duk sikur ishte një gjest që ishte në interesin e tij që ta dërgonte këtë letër, thjesht. Ai nuk ka bërë asnjë koment lidhur me urgjencën apo jo të kësaj kërkesë, nuk e ka përmendur më asnjëherë tjetër, nuk u përpoq që të shfrytëzonte mundësinë që ka pasur bashkëpunim në çështje të tjera për t’iu kthyer kësaj çështjeje. Pra, thjesht mu duk se po shfrytëzonte rastin për t’i shërbyer një interesi tjetër.”, - theksoi dëshmitari, Xhok Kovej.
Koveji foli për përpjekjet për integrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Policinë e Kosovës dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të UNMIK-ut me komandantët në terren. Ai pranoi se kishte pak informacion mbi strukturën e brendshme të UÇK-së dhe marrëdhëniet e saj hierarkike. Duke kujtuar një takim të shtatorit 1999, ai tha se Thaçi nuk kishte folur fare përballë komandantëve të zonave dhe se këta të fundit treguan pak respekt ndaj tij. Sipas Kovejit, kjo e konfirmonte bindjen që Thaçi kishte marrëdhënie të ndërlikuara me ta. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, deklaroi se dëshmia e Kovejit përforcon qëndrimin se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion të organizojë apo ndalojë dhunën pas luftës. Koveji po ashtu përmendi se Thaçi kishte treguar gatishmëri për bashkëpunim me UNMIK-un dhe ishte përfshirë në ndërtimin e institucioneve të përkohshme, duke mbështetur paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
FARIJE DAUTI BAKIU
