Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VMRO - DPMNE prezantoi kandidatët në Shkup

30.09.2025 14:25

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit shpalosi programin e tij zgjedhor për zhvillimin e kryeqytetit...

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, shpalosi programin e tij zgjedhor për zhvillimin e kryeqytetit. Para qytetarëve të Shkupit ai u zotua se do të punojë fuqishëm për t’i realizuar projektet kyçe infrastrukturore, që në mesin e tyre përfshijnë edhe një qytet të pastër, të gjelbër, modern, dinjitoz, me transport modern urban, një kryeqytet i cili u përngjan metropoleve më të mëdha evropiane, ku në të nuk do të ketë deponi dhe mbeturina gjithandej dhe nuk do të ketë komunikacion të mbingarkuar.
 
“Shkupi përballet me sfida të mëdha. Ajri i ndotur që na dëmton shëndetin, por duhet ta ndryshojmë këtë. Rrëmujë në komunikacion në të cilin humbim me orë të tëra dhe këtë nuk guxojmë të pranojmë si fakt të pandryshueshëm. Deponi të egra që na turpërojnë dhe nuk do të qetësohemi derisa nuk i pastrojmë ato. Transport urban që është drejt kolapsit, përderisa jemi qytet që mundemi më shumë. E kjo kohë po mbaron.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski.
 
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për Gjorgjievskin, tha se këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje të zakonshme lokale, por do të jenë një vendim se çfarë Maqedonie duam të kemi, çfarë shteti duam të ndërtojmë dhe çfarë porosi do t'u dërgohen atyre që shkatërrojnë, në vend që të ndërtojnë. Në fjalimin e tij, Mickoski me porosi për Ali Ahmetin se pas këtyre zgjedhjeve do ta dërgojë në pension politik.
 
“Ato metaforat nëpër tubimet tani më nuk kalojnë tek qytetarët. Ato janë të mira nëse kanë vendosur të merren me filma humoristik për ta bërë dikë për të qeshur, por jo dhe t’u japin shpresë qytetarëve. Mirëpo, është mirë që të paktën që më shqipton mirë emrin tim. Pas 15 muajsh ose një viti e gjysmë, ai kaloi në opozitë dhe pas këtyre zgjedhjeve do të dalë në pension politik. Unë ta garantoj këtë.", - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Planprogrami i Gjorgjievskit për zhvillimin e Shkupit bazohet në shtatë shtylla. Shtylla e parë është zhvillimi i qëndrueshëm urban, respektivisht përpilimi i një dokumenti strategjik 20-vjeçar "Shkupi 2025-2045", ku në të parashikon integrimin e planifikimit hapësinor. Shtylla e dytë është një mjedis i shëndetshëm. Shtylla e tretë është rindërtimi i plotë i trafikut, duke zgjidhur problemin me vendet e parkingut. Shtylla e katërt është kultura, e pesta transformimi digjital, shtylla e gjashtë është rinia dhe shkenca dhe shtylla e shtatë është kujdesi dhe siguria publike.
 
REXHEP QAMILI