Maqedoni

Sezoni i ngrohjes 2025/2026, zyrtarisht nga 15 tetori ose edhe më herët

30.09.2025 15:37

Nga 15 tetori zyrtarisht do të fillojë sezoni i ngrohjes 2025/2026...

Nga 15 tetori zyrtarisht do të fillojë sezoni i ngrohjes 2025/2026 për shfrytëzuesit e përfshirë në sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin Shkup, me të cilën menaxhon Shoqata Aksionare EMV. Por, në rast se temperatura e parashikuar mesatare e jashtme për ditët në vijim është e barabartë ose më e ulët se 12  gradë Celsius, atëherë sezoni i ngrohjes mund të fillojë në afat më të hershëm, respektivisht nga 1 tetori dhe të përfundojë më së voni më 30 prill, përkujton Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturina Komunale. Në ueb-faqen e EMV Furnizim, për çdo ditë do të publikohet informacioni se a janë përmbushur kushtet për dërgesë së energjisë për ngrohje deri më 15 tetor. Këto informacione do të publikohen sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore të RMV-së dhe në bazë të parashikimeve për temperaturë mesatare ditore të ajrit në Shkup nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
 
“Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit, NOMAGAS, ka njoftuar se këtë vit, për shkak të aktiviteteve të mirëmbajtjes në sistemet rajonale të transmetimit të gazit natyror dhe në gazsjellësin “Rrjedha turke”, pritet që nga data 13 deri më 17 tetor të ketë ndërprerje në furnizimin me gaz natyror për konsumatorët në vendin tonë.”, njoftoi KRrE.
 
KRrE rikujton se siguria në furnizim është interes parësor dhe se legjislacioni në fuqi i mundëson operatorit të gazit natyror, NOMAGAS, që në rast ndërprerjeje të furnizimit të bëjë mbushjen me kohë të tubacionit dhe ta shpërndajë sasinë në mënyrë të përshtatshme gjatë ditëve kritike për përdoruesit që ngrohen me energji të ngrohjes.
 
“Sipas Rregullores së Furnizimit me Energji Termike dhe Sistemit Tarifor për Shitjen e Energjisë Termike, furnizuesi është i detyruar që në hapësirat e ngrohjes, gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në 22:00, të sigurojë temperaturë ngrohjeje prej 20 +1 gradë Celsius. KRrE u bën apel banorëve, respektivisht bashkësive të banesave, që të kontrollojnë instalimet e brendshme dhe instalimet në objektet e tyre, si dhe të shlyejnë faturat për energjinë elektrike për nënstacionet termike, me qëllim që sezoni i ngrohjes të fillojë pa probleme.”, porositin nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
 
Të gjithë konsumatorët mund të kontrollojnë nëse objekti i tyre është në listën e objekteve të mbyllura pa kushte për dërgesë të ngrohjes, i cili është në dispozicion në linkun “Objekte të mbyllura – EMV Furnizimi”.
 
BELINDA KOKA ADEMI