Rajon

Shqipëri, Qeveria njofton Begajn për vakancat nëpër Bashki

30.09.2025 15:55

Vetëm 5 ditë pas shkarkimit të Erion Veliajt, Qeveria ka njoftuar zyrtarisht presidentin Bajram Begaj për vakancën në Bashkinë e Tiranës....

Vetëm 5 ditë pas shkarkimit të Erion Veliajt, Qeveria ka njoftuar zyrtarisht presidentin Bajram Begaj për vakancën në Bashkinë e Tiranës. Në shkresën që mban datën 30 shtator, Këshilli i Ministrave njofton kreun e shtetit edhe për vakancat në 5 bashkitë e tjera: Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena.
 
Nga ky moment, kur shkresa ka mbërritur në tavolinën e Begajt, ai ka 48 orë afat për të nxjerrë dekretin për zgjedhjet. Pritet me interes vendimi i presidentit në kushtet kur kryebashkiaku Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij. Kjo pasi ankimi i Veliajt në gjykatën më të lartë në Shqipëri, sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon firmën e kryeministrit Rama për shkarkimin e tij dhe automatikisht bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim. Ndërkohë, nga Presidenca bëjnë të ditur se nuk ka asnjë njoftim nga Gjykata Kushtetuese. 
 
Gjithsesi sido që të jetë vendimmarrja e Begajt, zgjedhjet e pjesshme, sipas ligjit elektoral, mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit, që do të thotë se datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 3 të dielat, 2, 9 ose 16 nëntor, në varësi se kur do të shpallet dekreti i Begajt. 
 
Tre Bashki si Mati, Tepelena dhe Berati janë pa kryetar, për shkak se të mëparshmit u zgjodhën deputetë më 11 maj. Cërriku ka mbetur pa kryetar, pas emërimit surprizë të Andis Sallës në ministrinë e Bujqësisë, ndërsa Vlora mbeti pa drejtues pas dorëheqjes së Ermal Dredhës.
 
LULJETA NDOKA