Botë
Trampi shpalos planin për paqe në Gazë, liderët botërorë përkrahin planin
30.09.2025 16:16
Liderët evropianë dhe ata të Lindjes së Mesme e kanë përshëndetur planin e ri të paqes prej 20 pikash për Gazën...

Liderët evropianë dhe ata të Lindjes së Mesme e kanë përshëndetur planin e ri të paqes prej 20 pikash për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Tramp. Ky plan parashikon ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake, lirimin brenda 72 orësh të të gjithë pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, lehtësimin e pakufizuar të ndihmave humanitare, si dhe çarmatimin e Hamasit.
“Shtetet arabe dhe myslimane janë zotuar që menjëherë të demilitarizojnë Gazën. Tunelet dhe kapacitetet e prodhimit të Hamasit dhe grupeve të tjera terroriste do të shkatërrohen, ndërsa forcat izraelite të mbrojtjes do të tërhiqen nga Gaza në disa faza. Nëse marrëveshja nuk zbatohet, Izraeli dhe Netanjahu do të kenë mbështetjen e plotë të ShBA-së për të përfunduar detyrën dhe për të bërë atë që duhet bërë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Në draft-dokument theksohet se Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës. Po ashtu parashikohet krijimi i një „komisioni për paqen“ që do të mbikëqyrë tranzicionin, dhe në këtë komision pritet të jetë edhe ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Kryeministri izraelit pohon se propozimi i Trampit do të sigurojë që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.
“Po bëjmë një hap kyç drejt përfundimit të luftës në Gazë dhe krijimit të një baze për avancimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, në vende të rëndësishme myslimane. E mbështes planin për përfundimin e luftës në Gazë, me të cilin arrihen qëllimet tona ushtarake. Do të rikthejmë të gjithë pengjet në Izrael dhe do të çmontojmë kapacitetet ushtarake të Hamasit.”, - theksoi Benjamin Netanjahu.
Autoritetet Palestineze që administrojnë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, e cilësuan përpjekjen e presidentit Tramp si të sinqertë dhe vendimtare. Ndërkohë, Iniciativa Kombëtare Palestineze e akuzoi Trampin për një qëndrim të njëanshëm pro-Izraelit dhe paralajmëroi se plani mund të sjellë rreziqe serioze, pasi nuk adreson çështjet themelore të konfliktit izraelito-palestinez.
“Duhet ta kemi parasysh se kjo marrëveshje fare nuk trajton problemin bazë, që ekziston prej dekadash dhe që është shkaku i gjithçkaje, përfshirë ngjarjet e tetorit. Nuk mendoj se ne si palestinezë kemi nevojë për një trup të huaj, edhe në krye me zotin Tramp, që të na qeverisë jetën. Ne kemi nevojë për pavarësi. Ne kemi nevojë për liri. Duhet të përfundojë okupimi. Kjo do të thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Izraelin.”, - u shpreh Mustafa Barhuti nga Iniciativa Kombëtare Palestineze.
Ndërkohë që bëhen plane për paqe dhe pritet përgjigje nga Hamasi, ushtria izraelite vazhdon bombardimet e ashpra mbi objekte civile dhe tenda ku strehohen njerëzit e zhvendosur në qytete dhe lagje të ndryshme në Rripin e Gazës. Avionët izraelitë goditën zona të ndryshme, përfshirë lagjen Al-Rimal në Gazë, Deir al-Balah në qendër dhe Al-Mavasi në jug, duke vrarë dhjetëra civil.
FARIJE DAUTI BAKIU
