Zgjedhjet lokale 2025, Osmani dhe Rexhepi vazhdojnë fushatën

30.09.2025 17:22

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit...

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, thotë se nëse merr mandatin do të ketë kthesë radikale në menaxhimin e komunës, me qëllim të qartë për çrrënjosjen përfundimtare të korrupsionit.

Sipas Osmanit, korrupsioni është rrënja e kalbur e të gjitha problemeve në Çair.

Nëse merr mandatin më 19 tetor, Osmani thotë se ajo rrënjë do të pritet dhe do të shkatërrohet.

Nuk do të lejoj të keqpërdoret as edhe një denar nga paratë e qytetarëve. Kjo nuk është e drejtë, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është vizion për të ardhmen,” - theksoi Osmani.

“Me një klikim, çdo qytetarë do të mund t’i ndjekë të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale, çdo denar do të publikohet, nuk do të ketë më pagesa misterioze dhe kontrata të dyshimta. Sot kemi mbi 720 kontrata fiktive, për të cilat askush nuk e di se për çfarë janë. 350 mijë euro në muaj shpenzohen për kontrata në vepër për aktivistët e partisë.”, - deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani.

“Syri i qytetarit” do të jetë mekanizmi më i fuqishëm kundër korrupsionit,” - tha Osmani, sipas të cilit bëhet fjalë për një set prej katër reformash anti-korrupsion, të cilat, sipas tij, do ta shndërrojnë Çairin në komunën më transparente në shtet.

Plani përfshin hapjen publike të të gjitha tenderëve me transmetim direkt dhe me video të qasshme në internet, monitorim të pavarur nga ekspertë dhe organizata joqeveritare të specializuara për anti-korrupsion, arkë publike përmes së cilës çdo qytetar me një klikim do të mund t’i ndjekë të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale dhe kontroll automatik me inteligjencë artificiale, që do ta eliminojë faktorin njerëzor në keqpërdorime.

Ndërsa kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës ka akuzuar kryetarin aktual se qyteti nuk ka ndriçim të modernizuar edhe pse qytetarët paguajnë fatura të larta për ndriçimin publik në Tetovë.

Rexhepi tha se më 17 nëntor 2023 është nënshkruar kontratë me një operator privat, që brenda 6 muajsh është dashur të zëvendësonte 8.720 llamba me llamba të reja smart dhe led, por kjo nuk ka ndodhur. 

“Nga 10 milionë denarë në muaj që mblidhen nga taksa për ndriçimin publik, 85% shkojnë në xhepat e operatorit privat, ndërsa vetëm 15% mbeten për komunën e Tetovës. Kjo do të thotë se nga 120 milionë denarë ose rreth dy milionë euro në vit, afër 1.65 milionë euro përfiton kompania private, kurse vetëm 350 mijë euro mbeten për komunën e Tetovës.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.                                 

Në një periudhë 15 vjeçare kjo kompani ka inkasuar rreth 25 milionë euro nga paratë e qytetarëve, në ndërkohë që investimi fillestar është vetëm 4 milionë euro, thotë Rexhepi, prandaj ai zotohet se nëse merr mandatin e kryetarit të komunës, këtë kontratë do të shfuqizojë menjëherë. (Gyltene Sinani, TVM2)