Zgjedhjet lokale 2025, VLEN promovoi kandidatin në Gostivar

30.09.2025 17:45

Koalicioni VLEN ka promovuar kandidatin...

Koalicioni VLEN ka promovuar kandidatin për kryetar të komunës së Gostivarit, Sebaedin Dauti, dhe kandidatët për këshilltarë komunalë. Dauti gjatë shpalosjes së programit të tij ka premtuar projekte për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai tha se Gostivari duhet të jetë një qytet që frymon kulturë dhe që u jep mundësi të rinjve që të shkëlqejnë, administratë digjitale dhe transparente ku qytetari të mos presë me javë për një dokument, por ta marrë atë me disa klikime.

“Unë vij sot para jush me një vizion të qartë për menaxhimin modern të qytetit, pastërti dhe mjedis të gjelbër, një plan të integruar për menaxhimin e mbeturinave me kompani profesionale, riciklim dhe pastrim të rregullt. Qyteti ynë do të ketë më shumë parqe, më shumë hapësira gjelbërimi dhe ajër më të pastër, arsim cilësor, renovim i shkollave, i çerdheve, laborator modern.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Gostivarit, Sebaedin Dauti.

Sa i përket arsimit, Dauti premtoi edhe pajisje digjitale në shkolla, mbështetje për mësuesit, mbështetje për klubet sportive dhe artistët e rinj.

Edhe bartësi i listës, Bashkim Asani, tha se si këshilltarë komunalë do të angazhohen që ta ndryshojnë Gostivarin, pasi siç u tha, aktualisht qyteti është i pazhvilluar, i papastër me arsim jocilësorë dhe me stagnim të kulturës.

VLEN-i kërkon mbështetje edhe për kandidatin e saj për kryetar të komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, dhe kandidatët e saj për këshilltarë në këtë komunë. Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Fetai, me këtë rast ka deklaruar se pas 19 tetorit në këtë komunë do të duhet të vijnë në shprehje njerëz të rinj, që ofrojnë zgjidhje që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. 

“Në ekzekutiv asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë përkrahje prej lart. Ta fitojmë komunën, do ta keni përkrahjen e të gjithë neve që jemi në ekzekutiv dhe nëpër agjenci të ndryshme dhe më në fund, të mos bëhet fjalë në këtë komunë se a kemi ujë apo jo, mos të bëhet fjalë në këtë komunë se po na ikë rinia. Rininë duhet ta mbajmë këtu, të krijojmë kushte, të krijojmë vende pune. Nexha do t’ju flet se pse nuk ka pasur investime dhe pse nuk mund të ketë vende pune, derisa ka qeverisur BDI-ja këtu.”, -  u shpreh Arben Fetahu nga VLEN.

Fetai njëherësh theksoi se opozita ka nevojë për njerëz të denjë e jo njerëz të listave të zeza, që kanë vjedhur qindra miliona euro të qytetarëve. Nuk i duhen njerëz që kanë blerë aksione nga Mijallkovi për t’i futur në banka me kapital serb.

Fetai tha se janë prezantuar dhe do të prezantohen me fakte se kush janë njerëzit që kanë kontrabanduar qindra miliona nga paratë tona dhe i kanë dërguar në Beograd, për t’i kthyer sërish këtu në bankat e vendit me kapital serb.

Votën nga qytetarët e komunës së Likovës e kërkoi edhe kandidati për kryetar të kësaj komune, Nexhmedin Sadiku, i cili njëherësh lavdëroi edhe kandidatët për këshilltarë, të cilët tha se janë kuadro me nivel të lartë të arsimimit. (Fitore Demolli, TVM2)