FIFA gjobit Serbinë: 80 mijë franga, më pak shikues me Shqipërinë

30.09.2025 18:08

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë për incidentet e shumta në ndeshjen e kaluar të Serbisë me Anglinë. Për shkelje të numërta. Me Shqipërinë do ketë më pak se 10 mijë shikues...

Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me mbylljen e të paktën 20 për qind të stadiumit “Duboçica” në Leskovc, bëri publike sot shtëpia e futbollit serb.

Tribunat pas portave pritet të jenë pa shikues, ndërsa mediumet serbe kanë raportuar se do të lejohen 6500 shikues në stadium.

Për shkelje të numërta, Federata serbe duhet të paguajë plot 80 mijë franga zvicerane.

“Pos gjobës financiare, Federata e Futbollit e Serbisë është urdhëruar që ndeshjen e ardhshme garuese të FIFA-s, atë ndaj Shqipërisë në Leskovc, ta luajë para një numri të kufizuar shikuesish. Me këtë rast do të mbyllet të paktën 20 për qind e kapacitetit të tribunave, pas portave”, ka shkruar FFS-ja të martën.

Ndeshja e kaluar e Serbisë me Anglinë ishte zhvilluar në Beograd në praninë e 40 mijë shikuesve, ndërsa vendasit kishin humbur 5:0. (Safet Ademi, TVM2)