Botë
Merkel: partneriteti lindor nuk është nismë kundër Rusisë
22.05.2015 12:32
Bashkimi Evropian nuk është gati për t’i hapur dyert për vendet lindore, përfshirë edhe Ukrainën...

Projekt-dokumenti është bërë publik përpara Samitit të Rigës.
Siç raporton “Russia Today”, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte paralajmëruar udhëheqësit evropianë për të mos bërë premtime false.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e akuzoi Rusinë për taktika ofenduese ndaj fqinjëve.
Ai tha se blloku është i gatshëm për të mbështetur fqinjët pavarësisht presionit të Rusisë. Por kancelarja gjermane tha se “partneriteti i Lindjes nuk është një instrument për një politikë ekspansioniste të BE-së”.
Kancelarja gjermane vlerësoi se kriza në Ukrainë e bën partneritetin e Bashkimit Evropian me 6 vende lindore “më të rëndësishëm se kurrë”.
Merkel thekson se rendi paqësor në Evropë është lëkundur nga “aneksimi ilegal” i Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në mars të vitit 2014, dhe me vazhdimin e luftimeve ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës.
“Ne do t’i mbështesim më tutje fqinjët tanë lindorë në rrugën e tyre për shoqëri të bazuar në demokraci dhe sundim të ligjit”- tha kancelarja Merkel.
Por, sipas saj, nisma për partneritetin lindor nuk është e drejtuar kundër askujt, e veçanërisht jo kundër Rusisë.
