Shkupi në krizë të thellë, tre skuadra në garë për titullin kampion

30.09.2025 20:41

Ka përfunduar java e 8-të e LPFM-së. Pas këtyre ndeshjeve kemi tri skuadra të cilat janë veçuar në garën për titullin kampion. Po thuajse edhe aq janë futur në garë për mbijetesë edhe pse është herët të thuhet, sepse Rabotniçki dhe Tikveshi, kanë ambicie më të mëdha në këtë sezonë...

Me zhvillimin e ndeshjeve të raundit të tetë, ka përfunduar një e treta e  fazës së parë të elitës së futbollit vendor. Pas këtyre tetë javëve gara, tri skuadra, Shkëndija kampion aktual, Struga TL dhe Vardari, janë veçuar me rezultatet e tyre dhe duket se do jenë edhe kandidatët më serioz për titullin e kampionit.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Shkëndija, në këtë fundjavë ia shkaktoi humbjen e tretë me radhë Sileksit, që ishte një nga kandidatët për titullin kampion. 

Këta tani kanë 7 pikë me pak se kryesuesi i renditjes Struga TL, që ka 22 pikë. Vardari dhe Shkëndija e ndajnë pozitën e dytë me nga 20 pikë.

Liqenasit në javën e ardhshme do përballen me Vardarin, ndërsa Shkëndija po ashtu në transfertë do të luajë me Pelisterin, që ka vetëm 6 pikë në tetë ndeshje.

Skuadra nga Manastiri ka pesë humbje resht. Befasia më e madhe në aspektin pozitiv është skuadra e  Bashkimit, e cila me 14 pikë është menjëher pas katërshes kryesuese. Këta në derbin me Vardarin, luajtën pa gola.  Ndërsa në anën tjetër skuadra e Shkupit, duke pasur parasysh gjithë atë që po ndodhë reth kësaj skuadre nuk mund të pritej edhe më shumë.

Shkupi në këto tetë javë ka shënuar rezulatet e saja më të dobëta në historinë e tyre. Tetë ndeshje zero pikë, që s’kishte ndodhur kurë më parë.

Larg pritshmërive janë edhe Rabotniçki e Tikveshi, të cilat janë skuadra me ambicie për renditje sa më të mirë.

Arsimi nga Çegrani dhe Makedonija Gj.P, vazdojnë të luajnë ftohtë – nxehtë. Arsimi ka 8, ndërsa skuadra nga paralagja e Shkupit ka 9 pikë në renditje. (Safet Ademi, TVM2)