Botë

ShBA-ja në bllokadë buxhetore, përplasje mes demokratëve dhe republikanëve

01.10.2025 12:22

Qeveria e Shteteve të Bashkuara hyri në bllokadë buxhetore, pasi Kongresi nuk arriti të miratonte një projektligj financimi për vitin fiskal 2026...

Qeveria e Shteteve të Bashkuara hyri në bllokadë buxhetore, pasi Kongresi nuk arriti të miratonte një projektligj financimi për vitin fiskal 2026. Ky është bllokimi i parë që nga ai i vitit 2018–2019 dhe i treti gjatë administratës së Trampit. Dështimi ndodhi pasi Senati refuzoi dy projektligje të kundërta: një të propozuar nga republikanët, i cili do të zgjaste financimin deri më 21 nëntor dhe një të propozuar nga demokratët, që kërkonte rinovimin e subvencioneve për sigurimin shëndetësor dhe rritjen e fondeve për ndihmën e huaj. Presidenti Donald Tramp e akuzoi Partinë Demokratike për bllokimin e marrëveshjes, duke theksuar se ata përparësi i japin interesave partiake se sa nevojave të qytetarëve.
 
“Demokratët po pengojnë një marrëveshje të arsyeshme dhe u japin përparësi interesave të tyre partiake mbi nevojave reale të qytetarëve amerikanë. Kjo bllokadë është një dështim i tyre dhe po sjell pasoja të rënda për familjet dhe ekonominë tonë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë përfshirjen e masave për mbrojtjen e kujdesit shëndetësor dhe ndihmës për të varfrit, të cilat republikanët i kundërshtojnë. Kjo ka çuar në një bllokadë buxhetore, që ka ndikuar në funksionimin e administratës federale.
 
"Republikanët po e çojnë Amerikën drejt një bllokimi, duke refuzuar bisedime dypartiake dhe duke propozuar një projektligj tërësisht partiak. Ne kërkojmë që ata të ulen dhe të negociojnë me ne për të gjetur një zgjidhje që mbrojnë amerikanët.", - theksoi udhëheqësi i demokratëve në Senat, senatori Çak Shumer.
 
Si pasojë, rreth 900.000 punonjës federalë u dërguan në pushim pa pagesë, ndërsa 700.000 të tjerë vazhduan punën pa pagesë. Shërbimet esenciale, si ato të sigurisë kombëtare, do të vazhdojnë të funksionojnë, por pa pagesë deri në zgjidhjen e krizës. Për më tepër, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve amerikanë, përfshirë një pjesë të demokratëve, janë kundër bllokadës buxhetore, duke e konsideruar atë si një dështim të klasës politike për të arritur një marrëveshje. Aktualisht, nuk ka një datë të caktuar për zgjidhjen e krizës, dhe pasojat e saj mund të ndikojnë në ekonominë amerikane dhe shërbimet publike për një periudhë të pacaktuar.
 
FARIJE DAUTI BAKIU