Botë

Vazhdojnë bombardimet në Gazë, manovra agresive izraelite kundër flotiljes

01.10.2025 13:58

Pavarësisht planit për paqe prej 20 pikave të propozuar nga Trampi, Izraeli vazhdon sulmet në Gazë....

Pavarësisht planit për paqe prej 20 pikave të propozuar nga Trampi, Izraeli vazhdon sulmet në Gazë. Të paktën 30 civilë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Ekipet e mbrojtjes civile dërgojnë të plagosurit drejt spitaleve. Stafi mjekësor po punon në kushte të vështira, për shkak të numrit të madh të të plagosurve. Izraeli ka tentuar të pengojë gjithashtu edhe flotiljen Global Sumud, e cila po përpiqet të thyejë bllokadën humanitare dhe të çojë ndihma në Gazë. Aktivistët në bord njoftojnë se janë përballur me “manovra të rrezikshme dhe frikësuese” nga anijet luftarake izraelite.
 
“Dolëm jashtë dhe pashë anijet e tyre që vinin drejt nesh. Anijet tona janë të ngadalta, por këto ishin shumë të shpejta. Ata u vunë përpara flotiljes Sirius. Ishte kaos i madh, nuk na goditën, por erdhën shumë afër. Pastaj rrethuan anijen Sirius dhe na ndërprenë komunikimet. Nuk kishim internet apo kamera. Bërtitën që të dukeshin. Në një moment nisën të na ndriçonin me drita nga deti. Për mua ishte një akt intimidimi dhe luftë psikologjike.”, - deklaroi pjesëmarrësja në Sirius, Lisi Proenca.
 
“Alarmi i parë ishte në orën 04:00, kur u sinjalizua për praninë e anijeve. Pastaj pamë që po largoheshin dhe mundëm të çlodheshim pak, por më vonë pati një tjetër alarm, më serioz, sepse u afruan shumë. Në këtë rast ishte një nëndetëse që rrotullohej rreth anijes sonë disa herë, por më në fund u largua.”, - theksoi ish-kryebashkiakja e Barcelonës dhe aktivistja, Ada Kolaut.
 
“Ndihmat që sjellim janë pika në oqean, e dimë, por ajo që bën flotilja është guximi për të zbatuar ligjin ndërkombëtar, ndërkohë që aktorët e tjerë, të cilët duhet ta zbatojnë ligjin, qëndrojnë duarkryq e shpesh ndihmojnë bllokadën. Është e pabesueshme që shtete anëtare, veçanërisht ato me porte mesdhetare, nuk sfidojnë këtë bllokadë të paligjshme dhe nuk garantojnë mbrojtjen e flotiljes deri në bregun e Gazës. Kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja.”, - u shpreh aktivistja, Françeska Albanese.
 
Aktivistët kanë shprehur zhgënjimin ndaj qeverisë spanjolle, e cila ka refuzuar të ofrojë mbrojtje për konvojin dhe ka deklaruar se do të ndërhyjë vetëm në rast emergjence për shpëtim. Incidenti ndodhi teksa flotilja po i afrohej vijës prej 120 miljesh detare nga brigjet e Gazës, në një zonë ku më parë janë ndaluar ose sulmuar flotilje të tjera humanitare. Aktivistë pro-palestinezë i bëjnë thirrje Izraelit të ndalë “frikësimet” dhe t’i lejojë anijet të dërgojnë ushqim në Gazë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU