Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Resnjë

01.10.2025 14:04

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Resnjës, Jovan Tozievski...

Karvani zgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Resnjës, Jovan Tozievski, dhe listën e kandidatëve të tyre komunalë për këtë qytet. Ky i fundit, i cili garon për mandat të dytë, u dha llogaridhënie banorëve të Resnjës për punët e bëra gjatë katër viteve të fundit dhe u zotua se Resnjën dhe Prespën do t’i shndërrojë në rajon të qëndrueshëm ekonomik, duke miratuar plane të reja urbanistike për vikend, lagjet dhe zhvillimin e turizmit, mbështetje për bujqit dhe për bizneset e vogla familjare,  punësime të reja, investime të shumta për kultivimin e frutave. Në fokus do të jetë edhe mbrojtja e liqenit të Prespës, tha Tozievski.
 
“Nuk kandidohem përsëri për të premtuar fjalë bosh, por po kandidohem për të vazhduar atë që kemi filluar me më shumë forcë dhe mençuri të përfituar nga përvoja e deritanishme. Puna në ekip besoj se sjell sukses, e pikërisht ekipi im që qëndron prapa meje janë ata që përfaqësojnë vlera të vërteta e që dëshirojnë Prespë më të zhvilluar dhe më perspektive. Dëshiroj që më shumë njerëz t’i njohin vlerat tona.”, - deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Resnjës, Jovan Tozievski.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se vendit tonë i nevojitet koalicion i qëndrueshëm për punë dhe të ardhme. Sipas tij, Maqedonia është e lodhur nga aleancat që janë bërë dhe bëhen në kurriz të popullit që vuan dhe që kthejnë vendin mbrapa.  
 
"Në këto zgjedhje vendos populli dhe askush tjetër. Maqedonia është e lodhur nga të njëjtit politikanë që kërcënojnë të ardhmen e saj, është e lodhur nga aleancat në kurriz të popullit që vuan, është e lodhur nga intrigat e Venkos, Aliut dhe Dimçes. Është një koalicion për para. Maqedonisë i duhet një koalicion për punë dhe të ardhme dhe kjo është e qartë, është e qartë si dita.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Tozievski theksoi se gjatë mandatit të tij të parë janë realizuar rreth 170 projekte në të gjitha zonat në këtë komunë. Tozievski dhe Mickoski u thanë banorëve po ashtu se në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal dhe qendror do të vazhdojnë projektet infrastrukturore, siç është ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve dhe rrugicave brenda këtij qyteti, investime të shumta në arsim, mbështetje për studentet, rastet sociale, punonjësit nëpër ndërmarrje, investime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, më shumë hapësira të gjelbra, si dhe sinjalistikë më të mirë rrugore.  
 
REXHEP QAMILI