Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, LSDM prezantoi kandidatin në Shtip

01.10.2025 14:21

Kandidati për kryetar të komunës së Shtipit nga LSDM dhe Koalicioni, Pavel Ivanov, në tubimin partiak në Shtip...

Kandidati për kryetar të komunës së Shtipit nga LSDM dhe Koalicioni, Pavel Ivanov, në tubimin partiak në Shtip, duke prezantuar programin e tij, paralajmëroi ujë dhe ajër të pastër, si dhe shërbime të rregullta, të qasshme dhe cilësore. Me LSDM-në kjo do të jetë komunë për të gjithë, e drejtë, moderne dhe drejtpërdrejt e orientuar kah qytetarët. Pavel Ivanov tha se kanë vizion të qartë, sipas planit dhe me rregull. Shtipi të përfitojë nga burimet alternative të energjisë. Eficienca energjetike do të jetë në zemër të programit, ndërsa vëmendje të veçantë do t’i kushtohet kategorive më të cenueshme të qytetarëve.
 
Ai tha se do të ofrojnë ndihmë financiare për çiftet e reja, që të sigurojnë banesë të tyre. Për më të moshuarit do të ndërtojnë një kompleks gjithëpërfshirës, ndërsa personat me aftësi të kufizuara do të marrin mbështetje për jetesë të pavarur në një ambient të sigurt dhe nxitës. Ivanovi nuk la pa kritikuar punën e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, puna e kandidatit të tyre është ë shoqëruar me skandale, kaos dhe pa sigurimin e kushteve elementare për jetë. 
 
“Është koha që të vëmë sistem, i cili do t’i ketë qytetarët në vend të parë. Sistem i bazuar në ndershmëri, përgjegjësi dhe llogaridhënie. Vizioni ynë është i qartë, të ndërtojmë me plan dhe me radhë. Infrastrukturën urbane dhe rurale do ta vëmë tërësisht në shërbim të qytetarëve. Do të punojmë me përgjegjësi dhe cilësi.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Shtip, Pavel Ivanov.
 
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se kandidati për kryetar të Shtipit, Pavel Ivanov, dhe ekipi i tij i kandidatëve për këshilltarë kanë një plan që do t’i bëjë të rinjtë të duan të qëndrojnë në shtëpi, një plan që do ta bëjë Shtipin një qytet të gjelbër me zhvillim të shpejtë lokal, ekonomik dhe infrastrukturor. 
 
“Çdo votë është tullë në shtëpinë tonë të përbashkët. LSDM në këto zgjedhje është me ofertë dhe energji të re. Njerëz të ndershëm dhe të besueshëm, kandidat me profesion dhe rezultate, njerëz me integritet që do të punojnë për ju, jo për partinë, njerëz që nuk do të më përgjigjen mua, por do të përgjigjen para ju, qytetarëve. Ky është dallimi thelbësor mes nesh dhe VMRO-DPMNE-së. Ne ofrojmë pushtet lokal si servis i qytetarëve. Do të na shihni!”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Filipçe foli me banorët e Shtipit edhe për punën e kryetarit aktual të komunës, Ivan Jordanov, i cili ka një program të parealizuar prej 90%, një votë për një mandat të dytë dhe një dobësi në përballjen me debatet.
 
FLORIJE KAMBERI