Maqedoni
Onkologjia, gjyqi kundër Vasevit është shtyrë për më 8 tetor
01.10.2025 14:43
Gjykimi kundër ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, është shtyrë për më 8 tetor...

Gjykimi kundër ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, i cili, së bashku me dy onkologë të tjerë, akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve, është shtyrë për më 8 tetor. Shkak ishte kërkesa e avokatëve mbrojtës, që kryeprokurori Ljupço Kocevski ta marrë përsipër çështjen ose ta delegojë atë në një prokurori tjetër sikurse prokuroria e Manastirit, Gostivarit apo Shtipit. Avokatët mbrojtës konsiderojnë se aktakuzat janë bërë në mënyrë joprofesionale.
“Prokuroria ka lejuar që lëndën ta drejtojnë këshilltarë profesionistë, pa kontroll juridike ndaj tij, përderisa dëshmitë brenda lëndës nuk dëshmojnë kurrfarë faji, se i pandehuri nuk i ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet, se veprimet në fjalë nuk paraqesin vepra penale. Ai nuk ka bërë asnjë dëm dhe nuk ka mundur të bëjë, gjithashtu as që i ka mundësuar ndonjë dobie dikujt. Janë çështje drastike, andaj kërkuam rishqyrtim të dy aktakuzave.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Bobi Spirkovski.
Seanca duhej të vazhdonte me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria. Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, punonjës të Klinikës së Onkologjisë në Shkup, akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve. Procedura filloi kundër një onkologeje tjetër, të pandehurës së dytë, Meri Peshevska, e cila u deklarua fajtore në gjykatë, pas së cilës gjykata e dënoi atë me dy vjet burgim me kusht.
Aktakuza akuzon mjekët për vazhdimin e “akteve të rënda kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtim neglizhent”, në të cilat 29 pacientë u trajtuan me terapi të papërshtatshme dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore. Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur një tjetër akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2.2 miliardë denarësh për buxhetin e shtetit.
MERAL ISMAILI
