Maqedoni
Filloi viti i ri akademik 2025/2026, janë regjistruar 10.000 studentë
01.10.2025 15:27
Me shënimin e ceremonisë së orës së parë akademike, në universitetet e vendit sot filloi zyrtarisht viti akademik....

Me shënimin e ceremonisë së orës së parë akademike, në universitetet e vendit sot filloi zyrtarisht viti akademik. Gjeneratën e re të studentëve në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, e përshëndeti ministrja e Arsimit Janevska, e cila mes tjerash deklaroi se numri i madh i studentëve të regjistruar këtë vit është rezultat i kushteve të përmirësuara për studentët përmes formave të ndryshme të përkrahjeve financiare për studentët.
“Jemi më se të lumtur që studentët këtë vit vendosën të qëndrojnë në atdheun e tyre. Janë regjistruar në numër të madh dhe së bashku me ne do të angazhohen që ta ndërtojnë këtë vend, që të jetë edhe më i mirë, më i suksesshëm dhe pastaj do t’ua lëmë atyre që ta udhëheqin dhe ndërtojnë vendin e tyre.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
“Gjenerata e re që u regjistrua sot do të jetë tërësisht e digjitalizuar, të gjitha shërbimet studentore, të cilat janë paraparë për studentët, janë tërësisht të digjitalizuara. Këtë gjeneratë lirisht mund ta quajmë gjeneratën e indeksit elektronik.”, - theksoi rektorja në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Biljana Angelova.
Shefi i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Ismet Osmani, në intervistën e dhënë për TVM2, thekson se interesimi i studentëve mbetet konstant dhe pa ndonjë rritje të theksuar. Ndërkaq vazhdojnë përgatitjet për akreditimin e programeve të reja që do t’i përgjigjen nevojave të tregut.
“Ne akreditimin e planprogrameve e bëjmë në çdo katër vjet dhe para dy viteve e kemi bërë akreditimin e programeve studimore dhe tani pritet shumë shpejt pas dy viteve. Ndoshta fillojmë edhe me akreditimin dhe kemi filluar edhe përgatitjet për akreditimin e programeve të reja, të cilat do t’u përgjigjen nevojave të tregut këtu tek ne, por edhe më gjerë.”, - u shpreh shefi i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Ismet Osmani.
Këtë vit akademik në 6 universitetet e vendit janë regjistruar gjithsej 10.000 studentë të rinj, numër përafërsisht i njëjtë me atë të vitit të kaluar.
ARLINDA BAFTIU
