Maqedoni
Integrimi, rezoluta e LSDM-së ‘përplas’ partitë
01.10.2025 16:05
VMRO-DPMNE ka akuzuar kryesocialdemokratin, Venko Filipçe, se po ndryshon pozicionet partiake...

VMRO-DPMNE ka akuzuar kryesocialdemokratin, Venko Filipçe, se po ndryshon pozicionet partiake, sa i takon integrimit dhe kontestit me Bullgarinë, si pengesë në rrugën integruese. Antonio Milloshovski është shprehur se Filipçe një vit më parë lartësoi propozimin francez, ndërkaq tani propozon rezolutë me vija të kuqe identitare, duke lënë hapësirë për pikëpyetje se pas cilit dokument në të vërtetë mbajnë qëndrim.
“Ne besojmë se deklarata të tilla dhe qëndrime të ndryshuara nga Filipçe nuk janë një mesazh për qytetarët maqedonas, por më tepër një mesazh për Bullgarinë fqinje, sepse Venko Filipçe shpreson që fqinji lindor ose ndonjë aktor ndërkombëtar do ta ndihmojë të vijë në pushtet, ose të paktën për të ruajtur pozicionin udhëheqës në LSDM, sepse e di që nuk ka mbështetje nga qytetarët maqedonas, dhe asnjë mbështetje nga shumica e mbështetësve ose anëtarëve të LSDM-së.”, - deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i hodhi poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së për një ndryshim të supozuar të qëndrimit në lidhje me propozimin francez. Duke komentuar akuzën se LSDM-ja po e propozon rezolutën për t’u mbrojtur nga propozimi francez, vetëm që të mbetet në pushtet, Filipçe theksoi se projekt-rezoluta përmban të gjitha dokumentet e mëparshme dhe përcakton qartë vija të kuqe.
“Në propozim-rezolutën tonë janë të përfshira të gjitha dokumentet paraprake dhe rezoluta, përfshin edhe propozimin francez, ku qartazi themi se si janë mbrojtur të gjitha përcaktimet identitare. Ftojmë të gjitha partitë politike që së bashku të mund të sigurojmë edhe një formë të konsensusit nacional, siç është në të gjitha shtetet e zhvilluara. E themi qartë se cilat janë vijat tona të kuqe: gjuha, identiteti, kultura, historia dhe ne për këtë nuk negociojmë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe ka rikthyer akuza në adresë të pushtetit se nuk po punojnë sa duhet në drejtim të reformave në gjyqësor duke lënë pa miratuar 12 ligje, që duhet të votohen brenda vitit në Parlament.
MERAL ISMAILI
