Maqedoni

Deklaratat e Ramës- “zgjohet” MPJ, kërcënimet nuk janë në frymën evropiane

22.05.2015 13:32

Bllokadat, kërcënimet për bllokada dhe pretekstet nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për stabilitetin e rajonit...

Bllokadat, kërcënimet për bllokada dhe pretekstet nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për stabilitetin e rajonit, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, si reagim të, siç thuhet, deklaratave të përfaqësuesve të huaj nga fqinjësia dhe më gjerë, të cilat kanë të bëjnë me Republikën e Maqedonisë.
 
"Qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë është që të integrohet në BE dhe në NATO. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, për një të ardhme më të mirë, zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon. Bashkëjetesa multietnike dhe respektimi i diversitetit kulturor, etnik, fetar dhe të drejtat e njeriut janë themeli i shoqërisë së Maqedonisë dhe rregullimit kushtetues. Të gjithë ne së bashku jemi të bashkuar për një të ardhme evropiane të Republikës së Maqedonisë. Nevojitet bashkëpunim i sinqertë dhe mbështetje e qartë nga fqinjët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë. Të gjitha bllokadat, kërcënimet me bllokada dhe deklaratat për ofrimin e preteksteve kundër anëtarësimit tonë nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në rajon. Republika e Maqedonisë do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në përforcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit me të gjithë fqinjët dhe partnerët tanë në interes të përparimit në rajon"- thuhet në kumtesë. 
 
Reagimi i MPJ-së vijon pas deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se Republika e Shqipërisë do ta mbështesë pranimin e Maqedonisë në NATO vetëm pas zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
 
Njëkohësisht reagimi vjen edhe pas deklaratës së shefit të Diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, se Shqipëria dhe Bullgaria kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, që nga Sofja u vlerësua si qëndrim i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm i Moskës.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU