Zgjedhjet lokale 2025, VLEN-i mbajti konventën promovuese në Shkup
Koalicioni VLEN mbrëmë në Shkup mbajti konventën e saj promovuese...

Koalicioni VLEN mbrëmë në Shkup mbajti konventën e saj promovuese të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë komunalë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Duke iu drejtuar të pranishmëve, kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Bashkim Bakiu, u shpreh se Shkupi është vatra e kulturës dhe historisë sonë, ndërsa VLEN-i është subjekti nga i cili do të ndërtohet e ardhmja.
Ai premtoi se, nëse zgjidhet kryetar, do të investojë në infrastrukturë, përmirësimin e ajrit, rregullimin e lagjeve, si dhe ndërtimin e hapësirave kulturore dhe sportive, ku rinia do të ketë mundësi të zhvillojë talentin dhe energjinë e saj.

“Unë besoj se Shkupi meriton të jetë qytet ku çdo familje të ndjehet e sigurt, ku të rinjtë kanë mundësi për arsim, punësim dhe zhvillim, dhe ku çdo banor ka kushte më të mira jetese. Synimi ynë është që ta kthejmë Shkupin në qytet modern, të gjelbër dhe të hapur për të gjithë, pa dallim gjinie, përkatësie etnike apo politike. Do të kujdesemi për çdo komunë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Shkupit, Bashkim Bakiu.
Bakiu njëherësh theksoi se Shkupi ka qenë gjithmonë zemra e mikpritjes, e bashkëjetesës, vend ku kulturat takohen dhe njerëzit ndajnë ëndrrat e tyre për një të ardhme më të mirë.
Bakiu tha se Shkupi meriton të jetë qytet ku çdo familje të ndjehet e sigurt, ku të rinjtë kanë mundësi për arsim, punësim dhe zhvillim, dhe ku çdo banor ka kushte më të mira jetese. Ai tha se synon që Shkupi të bëhet qytet modern, i gjelbër dhe i hapur për të gjithë, pa dallim gjinie, etnie apo përkatësie politike.
Të pranishmëve iu drejtua edhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, i cili, ndër të tjera, theksoi se ky koalicion i ka përfaqësuar me dinjitet shqiptarët gjatë periudhës sa ishte në pushtet.
“Kjo komunë i takon subjektit që për 15 muaj i bëri të gjithë shqiptarët krenarë. Po, po. Jam shumë krenar që nuk vij në skenë për ta keqpërdorur shqiponjën, por as nuk shkoj tek ajo zyra në Kuvend e të bëhem zog i pulës. Jam shumë krenar që i takoj një subjekti, i cili i ndaloi me ligj kazinotë.”, - deklaroi njëri nga krerët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi.
Ibrahimi theksoi se ndihet krenar që VLEN-i miratoi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që priste gati dy dekada, ashtu siç u shpreh krenar se është pjesë e një subjekti që e zyrtarizoi Medresenë “Isa Beu” – një shkollë shekullore e cila, siç tha ai, kishte mbetur shkollë “e egër”.
Ai gjithashtu theksoi se gjatë qeverisjes së VLEN-it janë ndarë 80 milionë euro për qindra projekte në komunat shqiptare, ndërsa, siç tha ai, do të ndahen edhe 240 milionë euro të tjera për komunat shqiptare.
Në konventë u premtua se VLEN-i do të punojë për qindra miliona investime në Shkup. Të pranishmëve iu drejtuan edhe liderët e tjerë të këtij koalicioni: Arben Fetai, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. (Fitore Demolli, TVM2)
