Zgjedhjet lokale 2025, Osmani premton zgjidhje për parkim në Çair
Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore të AKI-së...

Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore të AKI-së, kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, prezantoi strategjinë për zgjidhjen e problemit të hapësirave për parkim në komunë, e cila, siç tha ai, përmban zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
Sipas Osmanit, Çairi po ngulfatet, është shndërruar në komunë të veturave pasi rrugët, trotuaret dhe parqet janë shndërruar në vend-parkime.
“Në çdo rrugë, në çdo mëhallë, të ketë më së paku dy parkingje edhe atë në dy mënyra, dy opsione. Nën një komuna do të caktojë zona interesi dhe do të blejë një hapësirë, një shtëpi, një oborr, të cilin do ta shndërrojë në parking pa pagesë për qytetarët dhe e dyta do t’u jep mundësi qytetarëve që t’i japin shtëpitë e tyre ose oborret e tyre, komuna do t’ua shndërrojë në parking.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani.
Osmani tha se me strategjinë afatmesme planifikojmë ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe mbi tokë në disa lokacione.

Te shkolla “Vasill Gllavinov” dhe kopshti “Borëbardha” do të ndërtojmë një parking nëntokësor me dy nivele me 1.000 vende, mbi të cilin do të ndërtohet një shkollë dhe një kopsht i ri.
Në këtë mënyrë bulevardi “Xhon Kenedi” do të lirohet plotësisht nga makinat në rrugë dhe në trotuare, thekson Osmani.
Te kopshti “Vesëza” parashikojmë një parking nëntokësor me tre kate me kapacitet prej 520 vendesh. Në Çairçane në rrugën “Cvetan Dimov” do të ndërtohet një parking me 350 vende, ndërsa te “Skënderbeu” me kapacitet deri në 520 vende, premton Osmani.
Sipas tij, me këto projekte dhe me garazhe shtesë mbi tokë do të krijohen disa mijëra vende të reja parkimi.
Zgjedhjet lokale 2025, Rexhepi premton barazi mes komunave të Shkupit
Ndërsa kandidati i AKI-së për qytetin e Shkupit, Skender Rexhepi Zejd, thekson angazhimin e tij që Shkupi të jetë i barabartë për të gjithë, pasi siç thotë ai, ka pasur diskriminim të komunave të anës së djathtë dhe të majtë të Vardarit.
“Jemi dëshmitarë që Shkupi dekada me radhë është i diskriminuar në njërën pjesë, ndërsa i privilegjuar në pjesën tjetër apo siç themi në anën e djathtë të Vardarit dhe anën e majtë të Vardarit. Në pjesën jugore apo pjesën veriore, konkretisht komunat që janë në pjesën veriore të Vardarit kanë qenë të diskriminuara vazhdimisht. Komuna e Çairit, e Shutkës, një pjesë e Gazibabës, një pjesë e Butelit dhe gjithsesi duke mos lënë anash as komunën e Sarajit.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Shkupit, Skender Rexhepi.
Rexhepi tha se synimi i tij është barazia zhvillimore në të gjitha komunat, pavarësisht nëse qytetarët jetojnë në komunën e Karposhit, Aerodromit, Qendrës apo në komunën e Çairit, Shutkës apo Sarajit.
Synimi do të jetë që të tregojmë se ky qytet është i mirëseardhur për të gjithë banorët pa marrë parasysh pozitës apo përkatësisë së tyre etnike, fetare apo pozitës ku jetojnë ata, tha Rexhepi.
Po ashtu pjesë e programit të kandidatit të AKI-së është edhe kujdesi për rininë e Shkupit, pasi shumë të rinj po braktisin qytetin, tha Rexhepi.
Ai paralajmëroi themelimin e qendrave inovative teknologjike për të rinjtë, ku së bashku me start ap inkubatorë do të mundeshin të japin idetë e tyre dhe të krijojnë idetë e përbashkëta inovatore.
Në kuadër të programit për gjelbërim pritet krijimi i rreth 5 mijë vendeve të punës për të rinjtë, tha Rexhepi.
Ai poashtu theksoi se Shkupi ka nevojë për më shumë qendra ditore për të moshuarit, si dhe transport të akcesueshëm edhe për personat me nevoja të veçanta, pasi siç tha ai, duhet të sigurohen kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit. (Gyltene Sinani, TVM2)
