Kosovë, Orav: Kuvendi të konstituohet sa më shpejtë

01.10.2025 21:57

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se komuniteti ndërkombëtar po analizon vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, teksa u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja.

“Jemi duke e analizuar aktualisht, por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”,  - tha Orav gjatë një prononcimi për media më 1 tetor.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese publikoi njoftimin për vendimin e saj lidhur me çështjen e Kuvendit, duke deklaruar se organi ligjvënës nuk është konstituuar, ashtu siç kishte pandehur në fund të gushtit kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.

Kushtetuesja tha se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

“Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri”, - bëri thirrje ambasadorit i bllokut evropian në Kosovë.

Kushtetuesja tha se seanca konstituive – e nisur më 15 prill – nuk ka përfunduar dhe e njëjta duhet të përfundojë brenda 12 ditësh.