Botë
Terrorizmi-publikohet i rekrutimit, pyetja e parë: “A je gati për mision vetëvrasës?”
22.05.2015 13:45
Në morinë e dokumenteve që iu gjetën Osama bin Ladenit, mes të cilave edhe rreshtat e dedikuara me shumë dashuri së shoqes...

Në morinë e dokumenteve që iu gjetën Osama bin Ladenit, mes të cilave edhe rreshtat e dedikuara me shumë dashuri së shoqes apo thirrjet që dëshmojnë maninë për të goditur amerikanët, të cilat u bënë publike dy ditë më parë nga Uashingtoni, ishte dhe një formular i rekrutimeve të reja.
Aplikimi, i përkthyer nga CIA, përmban pyetje rreth historikut të karrierës së aspirantëve për xhihadistë, njohuritë e gjuhëve të huaja dhe numra kontakti për raste emergjence.
Ai fillon me këtë kërkesë: Lutemi vendosni informacionin e nevojshëm në mënyrë sa më të qartë e të vërtetë. Shkrimi të jetë i pastër e i lexueshëm: emri, mosha, statusi civil.
Pastaj është pyetja: A dëshiron të ndërmarrësh një mision vetëvrasës?
Dhe më poshtë: Çfarë objektivash dëshiron të përmbushësh në rrugën tënde të xhihadit? Më tej kërkon emra familjarësh e të njohurish, ndërsa aplikuesit i duhet gjithashtu të përgjigjet nëse vuan nga ndonjë sëmundje kronike apo të trashëgueshme.
Rekrutëve potencialë u lejohet ta plotësojnë formularin edhe në gjuhë tjetër nëse nuk flasin arabisht.
Militantët duan gjithashtu të dinë për personat që udhëtojnë drejt vendeve perëndimore apo që kanë të afërm të punësuar në qeveri, të cilët mund të ofrojnë ndihmesën e tyre.
Dokumenti ishte në mesin e materialeve sekrete të zbuluara nga komandat amerikane në 2 maj 2011, pas mësymjes së kompleksit ku fshihej Bin Ladeni në Pakistan.
Me dhjetëra letra të shkruara nga sheiku i terrorit për familjen e tij dhe drejtues të lartë të Al Kaedës u bënë gjithashtu publike këtë javë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
