Basketboll
Euroliga në basketboll: Fenerbahçe nis mbrojtjen e titullit
02.10.2025 12:40
Java e parë e Euroligës është mbyllur me fitoren e Fenerbahçes...

Java e parë e Euroligës është mbyllur me fitoren e Fenerbahçes ndaj Parisit 96-77 në Ulker Sport Arena të Stambollit. Ndeshja nisi mirë për kampionët në fuqi me një avantazh që arriti deri në 14 pikë përballë francezëve që duhej të prisnin periodën e dytë për tu zhbllokuar.
Teksa parizienët shënonin në kundërsulme dhe me trepikësha rresht, Fenerbahçe futet në një ngërç në sulm që i kushton. Tre trepikësha rresht dhe vjen barazimi për Parisin. Pjesa e parë mbyllet 43-40 për Fenerbahçen dhe trajneri i saj, Jasikevicius është i pakënaqur dhe i kërkon lojtarëve të tij një lojë më të shpejtë dhe të zotërojnë më mirë tabelën.
Kështu ndodh, Horton Tucker merr gjithçka në dorë duke shënuar 12 pikë gjatë periodës së tretë dhe 2 trepikëshat e Melit në përfundim të këtij 10 minutëshi bëjnë që Fenerbahçe të rifitojë qetësinë.
Parisi përpiqet, por janë nervozë dhe gabojnë si dhe stoli nuk sjell asnjë alternativë. Perioda e katërt administrohet më mirë nga Fenerbahçe që ka larguar tashmë presionin falë Melit. Debutim mjaft i mirë i Horton Tucker, ish-lojtari i Chicago Bulls, tashmë me fanellën e Fenerbahçes, që shënon 20 pikë.
Në krahun tjetër për Parisin, Hifi shënoi 23 pikë por gaboi jo pak në momente vendimtare të lojës.
