Shëndetësi, mjekët do të trajnohen në Slloveni, Itali dhe Austri
Mjekët nga vendi ynë, përveç Sllovenisë...

Mjekët nga vendi ynë, përveç Sllovenisë, do të shkojnë për trajnime edhe në Itali dhe Austri, për të cilat tashmë po përgatitet një marrëveshje bashkëpunimi, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Në këtë mënyrë do të kompensohet mungesa e stafit në shëndetin publik, dhe njëkohësisht do të përgatitet një strategji kombëtare për mbulimin e shëndetit publik me staf për 10 vitet e ardhshme.
“Momentalisht jemi duke adaptuar tekstin ndërmjet dy ministrive Sllovenisë dhe Maqedonisë, nga ana tjetër përveç Sllovenisë kemi edhe Italinë dhe Austrinë që do të kemi trajnime të mjekëve dhe të motrave medicinave, me qëllim që të jenë në kohë me metodologjinë dhe qasjet moderne në shëndetësi.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
LSDM: Situata në Onkologji, alarmuese
Për gjendjen në shëndetësi ka akuzuar LSDM-ja. Sipas tyre, situata në Klinikën e Onkologjisë është alarmante. Nuk ka terapi, nuk ka reagjentë për testim dhe disa nga aparaturat e rrezatimit nuk funksionojnë, thonë në LSDM.
“Pacientët me gjendje të kërcënuar për jetën e tyre lihen të kujdesen vetë, të detyruar të blejnë ilaçe nga jashtë dhe të paguajnë privatisht për testet diagnostikuese. Ndërsa qytetarët kërkojnë shpëtim, drejtuesit e klinikës pranojnë se pajisja e brakiterapisë gjinekologjike nuk po funksionon, për shkak të një kontrate të shërbimit të vonuar.”, - deklaroi Elena Radeska nga LSDM.
Aliu: Të shfrytëzojnë të gjitha resurset e shtetit
Ministri Aliu u bëri thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë infrastrukturën shtetërore për analiza.
“Analizat biokimike mund të bëhen në çdo qytet, jo vetëm në Onkologji, kështu që mund të bëhen në institucionet shtetërore, lus qytetarët mos të harxhojnë para, atëherë kur nuk u duhen në moment.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu gjithashtu njoftoi se t'u ofrojë ekspertëve tanë që punojnë jashtë vendit tonë, me ndihmën e digjitalizimit, të përfshihen aktivisht në sistemin e kujdesit shëndetësor. Në këtë mënyrë, ministri Aliu beson se pacientët do të shërbehen dhe do të jenë në duar të sigurta. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
