Botë
Kopenhagen, BE-ja planifikon një strategji të përbashkët të mbrojtjes
02.10.2025 14:54
Mbështetja për Ukrainën dhe sigurinë evropiane ishin temat kryesore...

Mbështetja për Ukrainën dhe sigurinë evropiane ishin temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, në të cilin po merr pjesë edhe presidenti ukrainas, pas sulmeve të fundit me dronë të Rusisë.
Zelenski paralajmëroi se Putini po e përshkallëzon luftën dhe po përpiqet ta ndajë Evropën. Ai është gati të ndajë ekspertizën e tij dhe u bëri thirrje udhëheqësve të veprojnë së bashku dhe me forcë kundër Rusisë.
"Asnjëherë nuk është bërë fjalë vetëm për Ukrainën. Rusia gjithmonë ka pasur qëllimin të thyejë Perëndimin, veçanërisht Evropën. Ne duhet të veprojmë së bashku dhe me forcë. Paketa e 19-të e sanksioneve është urgjentisht e nevojshme, duhet të mendojmë seriozisht se si ta shkatërrojmë infrastrukturën tregtare të naftës të Rusisë. Kjo duhet të ndalet.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi mbështetjen për Ukrainën dhe gatishmërinë për t'iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë.
"Në një kohë me shumë zhvillime për sigurinë tonë kolektive është e rëndësishme të mbajmë qiellin tonë të sigurt dhe që Ukraina të mbetet e fortë në luftë, por edhe të jetë në pozicionin më të mirë kur të fillojnë bisedimet e paqes. Është e rëndësishme të bashkohemi.", - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Shtetet anëtare bien dakord që BE-ja duhet të ketë një mburojë kundër dronëve, por edhe të forcojë kufijtë e saj lindorë.
"Mbrojtja e lindjes nga dronët është një përparësi, por duhet të merret një perspektivë më e gjerë. Sistemi anti-dronë është projektuar si një mburojë për të gjithë kontinentin. Kjo do të përfshinte, për shembull, jugun dhe do të projektohej për t'u përballur me një gamë të gjerë kërcënimesh.", - u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Von Der Lejen.
Ndërsa udhëheqësit evropianë në Kopenhagen punojnë për një strategji të përbashkët mbrojtëse, Rusia vazhdon të godasë. Kievi ka akuzuar Moskën për krijimin e rrezikut të incidenteve bërthamore pas ndërprerjes së energjisë elektrike në Çernobil dhe ka bërë thirrje për një përgjigje më të fortë dhe një ndalim të importeve të naftës ruse.
Trampi ka autorizuar ndarjen e inteligjencës amerikane për të ndihmuar Ukrainën qëtë sulmojë infrastrukturën energjetike ruse.
BELINDA KOKA ADEMI
