Maqedoni

Rezoluta e socialdemokratëve, VMRO: Dokumenti minimizon pozicionet maqedonase

02.10.2025 15:13

VMRO-DPMNE shfaq dyshimet për rezolutën e propozuar nga LSDM...

VMRO-DPMNE shfaq dyshimet për rezolutën e propozuar nga LSDM, sa i takon pozicioneve maqedonase mbi kontestin maqedono-bullgar. Ata vlerësojnë se rezoluta minimizon pozicionet maqedonase.
 
Andaj, kërkojnë nga kryesocialdemokrati Venko Filipçe që të thotë se çfarë ka dakorduar me Bullgarinë, pasi dolën me një dokument të tillë.  
 
“Rezoluta nuk është për Venkon, nuk është për Maqedoninë, është për Bullgarinë, një shenjë dhe sinjal se çfarë është gati të bëjë ai, të negociojë dhe ta poshtërojë më tej vendin. Venko Filipçe, thuaj për çfarë ke rënë dakord me bullgarët dhe çfarë biznesi po u ofron atyre, pasi një herë mbolle propozimin francez? A po e ofroni veten përmes një rezolute të tillë siç e ofroi vetë Zaevi në atë kohë? Qëllimi i Filipçes dhe minimi i pozicioneve maqedonase mund të shihen nga një kilometër larg.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM-ja në opozitë janë shprehur se projekt-rezoluta përmban të gjitha dokumentet e mëparshme dhe përcakton qartë vija të kuqe sikurse gjuha, identiteti, kultura, historia dhe për këto çështje nga LSDM nuk negociojmë.
 
Sipas Filipçes, në rezolutë janë të përfshira të gjitha dokumentet paraprake dhe rezoluta, dhe qartë thuhet se si janë mbrojtur të gjitha përcaktimet identitare. Socialdemokratët për një konsensus nacional mbi dokumentin kanë ftuar të gjitha partitë politike për bashkëpunim.
 
Por, kryeministri Hristijan Mickoski para disa ditësh është shprehur se pas zgjedhjeve partia e tij do të dalë me një rezolutë, sipas tij, të vërtetë në mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase.
 
MERAL ISMAILI