Shkupi mirëpret samitin digjital, Mickoski: Digjitalizimi është ura jonë drejt Evropës
Përshpejtimi i transformimit digjital...

Përshpejtimi i transformimit digjital në rajon nëpërmjet tre prioriteteve kryesore, qasje e lehtë dhe e sigurt në shërbimet publike dhe private, ndërlidhja e sistemeve dhe regjistrave për ofrimin e shërbimeve rajonale online, si dhe siguri kibernetike, ishin në fokus të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillohet në Shkup.
Qëllimi është që Maqedonia e Veriut të bëhet qendër e inovacioneve digjitale në rajon, tha me këtë rast kryeministri, Mickoski.
“Ky është fillimi i një revolucioni digjital, i cila do ta ndryshojë shtetin nga rrënjët. Digjitalizimi është ura jonë drejt Evropës. Është mbrojtja jonë kundër korrupsionit. Është shansi ynë të ndërtojmë një shtet më efikas dhe shoqëri më të drejtë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ka ardhur koha e revolucionit të mendjes dhe veprimit, ndërsa një nga përfitimet e transformimit digjital është aplikacioni m-shërbimet, një letërnjoftim elektronik i cili garanton sigurinë e të dhënave.
“Është koha për një aplikacion, i cili e mban shtetin në dorë, një aplikacion portofoli digjital për të gjitha dokumentet e rëndësishme, një aplikacion me shërbimet bankare personale në kutinë postare, një aplikacion përkujtuesi yt për të rikujtuar afatet. Një aplikacion për gjithçka.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Shumica e qytetarëve përdorin mjetet digjitale dhe kur kjo bëhet pjesë e jetës sonë ne duhet të adaptohemi me kohën dhe ta shfrytëzojmë teknologjinë në mënyrë të drejtë dhe të sigurt.
“21% e përdoruesve në Ballkanin Perëndimor shfrytëzojnë shërbimet online, ndërsa 36% blejnë online dhe 27% kanë qasje në edukimin online.” – u shpreh sekretari gjeneral për bashkëpunim rajonal, Amar Kapetanoviq.
Në Samit marrin pjesë mbi 800 përfaqësues, mes tyre përfaqësues të lartë nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Komisionit Evropian dhe Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve. (Leunora Kaliqi, TVM2)
