Eurointegrimi i vendit, Strand: Ndryshimet kushtetuese dhe reformat kyçe
Maqedonia e Veriut t’i implementojë ndryshimet kushtetuese....

Maqedonia e Veriut t’i implementojë ndryshimet kushtetuese dhe të ecë përpara, porositi ministri finlandez për Çështjet Evropiane, Joakim Strand. Duke potencuar faktin se vendi ka shënuar disa suksese në realizimin e reformave, ftoi autoritetet që fokusin ta vënë në reformat gjyqësore dhe në luftimin e korrupsionit.
Maqedonia e Veriut gjendet në zemrën e Evropës dhe vendin e ka brenda Bashkimit Evropian, theksoi ministri finlandez.
Shtoi se situata aktuale gjeopolitike e dikton nevojën e zgjerimit të Unionit, që njëherësh, sipas tij, përforcon sigurinë dhe rrit ekspansionin ekonomik.
“Shpresojmë se Maqedonia e Veriut do të mund të hapërojë përpara drejt hapjes së klasterit të parë. Inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që t’i miratojë ndryshimet kushtetuese të cilat i diskutuam edhe sot. Ftojmë Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që ta shfrytëzojnë këtë moment dhe shpresoj se nuk do t’i theksojmë shumë çështjet dypalëshe që do ta pengonin procesin e zgjerimit. Të gjitha vendet kanë histori, të gjitha vendet mund të gjejnë 100 probleme edhe vendet brenda BE-së.”, - deklaroi ministri finlandez për Çështjet Evropiane, Joakim Strand.
Murtezani: Hapa konkretë me Sofjen, pas zgjedhjeve
Ministri Murtezani, duke u ndërlidhur tek pengesa eurointegruese që ka ngelur në kuvend, theksoi se Qeveria ka vendosmëri për hapa konkretë në tejkalimin e kontestit me Bullgarinë, por kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve, apo më saktë, pas vitit të ri. Thekson integrim në bazë të meritave.
“Konstatuam se procesi i zgjerimit është më shumë se procedurë teknike. Është investim strategjik në stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike të të gjithë kontinentit. Veçanërisht e vlerësojmë pozitën e Finlandës të shprehur publikisht dhe në mënyrë konsekuente se zgjerimi domosdoshmërish duhet të bazohet në merita dhe se përfitimet nga integrimi janë të përbashkëta, si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.”, - theksoi ministri i Eurointegrimeve, Orhan Murtezani.
Temë diskutimi mes dy homologëve, edhe Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, të cilën Murtezani e quan jo vetëm instrument financiar, por edhe strategji për përafrimin e vendit me standardet evropiane edhe para anëtarësimit formal në BE.
Nga Finlanda do të merret përvoja për tranzicionin e gjelbër, si mundësi e mirë për avancimin e institucioneve. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
