Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Strugë
Aleanca Kombëtare për Integrim...

Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdoi aktivitetet parazgjedhore në Strugë, ku kërkoi mbështetje për kandidatin për kryetar komune, Arsim Dalipi, dhe kandidatët për këshilltarë komunalë.
Struga është vendi i shumë kulturave, i bashkëjetesës, i bujarisë dhe mikpritjes, por edhe vendi i premtimeve të parealizuara dhe i mundësive të humbura, deklaroi kandidati për kryetar, Arsim Dalipi.
Programi im është përpiluar duke dëgjuar zërin e qytetarëve, tha Dalipi.
“Do të angazhohemi për një administratë efikase dhe të digjitalizuar, do të thotë një komunë që vepron shpejt me efikasitet, e hapur dhe me llogaridhënie ndaj qytetarëve. Revitalizimi urban dhe rural dhe ruajtjen e mjedisit jetësor. E ndërtojmë qytetin dhe fshatrat, që të jenë funksionale të jetueshme dhe të organizuar me infrastrukturë të sigurt.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
Dalipi njëherësh premtoi edhe modernizimin e ndërmarrjeve publike, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët. Po ashtu ai premtoi edhe mbështetje dhe fuqizim të rinisë.
Po ashtu Dalipi premtoi edhe arsim dhe edukim bashkëkohor, si dhe shërbime sociale dhe efikase për grupet e margjinalizuara.
Po ashtu ai premtoi edhe mbështetje për turizmin dhe jo vetëm për turizmin veror, por edhe për turizmin rural dhe turizmin malor, me qëllim që Struga të jetë destinacion turistik për të gjithë vitin.
Ndërkohë kreu i ASh-së, Ziadin Sela, duke folur para të pranishmëve, deklaroi se këto zgjedhje janë një mision më tepër se sa vetëm i zgjedhjeve lokale.
Ky qëllim i ka bërë bashkë partitë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, pasi bashkimi ka dhënë rezultate edhe në vitin 2009 edhe në vitin 2013, kur u arrit fitorja më madhështore që ka pasur Struga, e që, siç tha Sela, synohet edhe në këto zgjedhje.
“Përdorën çdo formë që ta marrin komunën që ta udhëheqë VMRO-DPMNE. Më kujtohet përdorën edhe lapsin çifut, shqiptarët votonin e pastaj fshihej boja. E kur bëhen bashkë shqiptarët në Ladorishtë e Llabunishtë, e në Veleshtë e Dollogozhdë e gjithandej, nuk guxuan asgjë të bëjnë funksionarët e mëdhenj të VMRO-së dhe ikën kokulur.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Struga u takoi dhe do të vazhdojë t’u takojë atyre që u takon natyrshëm, toskëve dhe gegëve, bashkë shqiptarëve, tha Sela. Tani VMRO-ja ka zgjedhur një formë tjetër të ngjashëm me lapsin çifut, gjoja në emër të një mbulese të pavarur që merr pjesë në konventa partiake, tha Sela, sipas të cilit këto zgjedhje kanë simbolikën e rikthimit të dinjitetit dhe mesazhit që duhet dhënë me voto pas shkeljes së madhe në zgjedhjet e kaluara kur u lejua që Mickoski të zgjedhë mes nesh.
Mesazhi nga Likova deri në Strugë duhet të jetë se ne i zgjedhim vet përfaqësuesit tanë politikë, tha Sela.
Të pranishmëve në tubimin e Aleancës Kombëtare për Integrim në Strugë iu drejtua edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. (Gyltene Sinani, TVM2)
