Zgjedhjet lokale 2025, Mexhiti e Limani nga VLEN vazhdojnë fushatën
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit...

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, duke shpalosur programin e tij, ka paralajmëruar ndërtimin e shkollës së re në lagjen Teneçe Mahallë, apo mahalla e boshnjakëve dhe objekt të ri të shkollës “Idnina”. Këto shkolla do të ofrojnë kushte dinjitoze për nxënësit, tha Mexhiti.
Ky hap do të na ofrojë drejt zgjidhjes përfundimtare për zhvillimin e mësimit me një ndërrim dhe mësim tërëditor në të gjitha shkollat e komunës së Çairit, tha Mexhiti.
“Ky investim do t’u hapë dyert e dijes rreth 1.300 nxënësve në një objekt prej 4.700 m2, me 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laboratorë të pajisur sipas standardeve më të larta. Një shkollë ku do të mësohet vetëm me një ndërrim, një hapësirë e vërtetë zhvillimi dhe krenarie për Çairin. Por, nuk ndalemi këtu, paralelisht do të ndërtohet edhe objekti i ri i shkollës “Idnina”. Me këto investime, Çairi do të ketë gjithsej 11 shkolla moderne, ku çdo fëmijë do të mësojë në kushte të barabarta.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Mexhiti njëherësh pyeti kundërkandidatin e tij, Bujar Osmani, dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, se a do të pranonin të ishin pjesë e qeverisë me VMRO-DPMNE-në dhe Hristijan Mickoskin, të cilin po e quajnë albanofob? Kur rrinë para derës së qeverisë me kë dëshirojnë të bëjnë qeveri, me Hristijan Mickoskin, pyet Mexhiti.
Sipas tij, ata e kanë lutur kryeministrin Mickoski që të bëhen pjesë e qeverisë pa kryetar të Kuvendit dhe me më pak ministra.
Këtë e kanë bërë të ditur ish-partnerët e tyre, që tanimë nuk janë bashkë, tha Mexhiti.
Ndërkohë fushatën po e vazhdon edhe kandidati për kryetar të komunës së Kërçovës nga koalicioni VLEN, Fatmir Limani.
Në takimin me qytetarë, Limani ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet, në fillim të mandatit këshilli komunal do të mbajë dy seanca në të cilat do të sjellë vendim për të vizituar të gjitha vendbanimet e Kërçovës për t’i kuptuar, në programin e punës së komunës të kërkesave finale të qytetarëve.
“Nëse në kuadër të buxhetit do të kemi, ta zëmë 5 milionë euro për investime kapitale, ata do të duhet pastaj të ndahen me shifra se sa mjete p.sh. i ndahen Cërvicës, për kanalizimin që është afër rrugës sa mjete do t’i ndahen Shutovës për kanalizimin e pa përfunduar, sa mjete do t’i ndahen Zhubrinës për projektin (këtë, këtë, këtë), sa mjete do t’i ndahen p.sh. një pjese të Zajazit.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Kërçovës, Fatmir Limani.
Ujësjellësi i Zajazit gjatë kohës së verës kur vijnë gurbetçarët nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ujë, tha Limani.
Po ashtu ai tha se duhet definuar se sa mjete duhet ndarë për tubacionin që planifikon ta ndërtojë që furnizon termocentralin.
“Duhet bërë tubacion furnizimi plus, i cili do të jetë ndaras nga termocentrali “Osllomej”, tha Limani, i cili njëherësh lëshoi akuza për kryetarin e deritanishëm të komunës Fatmir Dehari, se në 3 mandate ka pasur vetëm dështime. (Fitore Demolli, TVM2)
