Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Kavadar
Ndërtimi i shtëpisë së pleqve...

Ndërtimi i shtëpisë së pleqve, stacion filtrues në vendin e quajtur Marena, gazifikimi i qytetit, ndërtimi i rrethrrotullimit të shumëpritur, të bulevardeve, rrugëve dhe rrugicave brenda Kavadarit, garazh trekatëshe, si dhe shujtë falas për nxënësit e klasës së parë deri tek e pesta, janë vetëm disa prej prioriteteve kryesore të kandidatit të VMRO-DPMNE-së për kryetar të komunës së Kavadarit, Mitko Jançev.
Jançev u kërkoi mbështetje banorëve të Kavadarit për të udhëhequr për të tretën herë këtë komunë duke u zotuar se do të vazhdojë të punojë për ta zhvilluar edhe më shumë këtë komunë, duke investuar edhe në shumë fusha tjera.
“Së bashku me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qeverinë po punojmë në ndërtimin e rrethrrotullimit, që e presim që nga viti 1991 me gjatësi prej 16.5 kilometra, rrethrrotullim që do të fillojë nga Marena deri Dreksler, Maer, Jugokomerc e deri në Navitaçevë, investim prej 20 milionë eurosh dhe do të jetë një nga dhjetë projektet kryesore të Qeverisë dhe të komunës që do të jetë për Kavadarin.”, - deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Kavadarit nga VMRO-DPMNE, Mitko Jançev.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hirstijan Mickoski, u tha banorëve të Kavadarit që vota e tyre e dhënë për Jançevin dhe listën e këshilltarëve të tyre komunalë është votë e cila garanton zhvillim dhe jo stagnim, siç ka dëshmuar LSDM-ja gjatë qeverisjes së saj, tha ai duke theksuar se dallimi mes tyre dhe kundërshtarëve politikë është i dukshëm, pasi që VMRO-DPMNE po punon për popullin, ndërsa LSDM për interesat e ngushta partiake.
“Partia më e madhe e dikurshme, LSDM, tani e shndërruan në degë private për mbrojtjen e interesave personale. E dëgjova para ca ditësh Filipçen duke thënë se LSDM-ja po lufton për shtëpinë e tyre, vetëm nuk precizoi se për cilat shtëpi, hacienda apo jahte, ato në Dubai apo në Halkidiki. Kur nuk do të ishin aq tragjikë, do të ishin përplot me sens humoristik.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski vlerësoi se që nga pavarësia e vendit tonë nuk ka ekzistuar asnjë qeveri, e cila për një periudhë aq të shkurtër, sa është VMRO-DPMNE-ja në pushtet, që ka investuar dhe ka rialokuar rreth gjysmë milion euro nga buxheti qendror për komunat.
Andaj, ai iu bëri thirrje simpatizuesve, por edhe të papërcaktuarve, të cilët ndoshta kanë hamendje, të votojnë pa kurrfarë mëdyshje Jançevin dhe listën e këshilltarëve komunalë të tyre, sepse siç tha Mickoski, vetëm në këtë mënyrë garantohet e ardhmja e tyre e sigurt dhe zhvillimi më i madh komunal. (Rexhep Qamili, TVM2)
