Flotilja Sumud e ndalur nga Izraeli ndez protesta globale dhe reagime diplomatike
Forcat detare izraelite kanë ndaluar me forcë Flotiljen Globale "Sumud"...

Forcat detare izraelite kanë ndaluar me forcë Flotiljen Globale "Sumud" në ujërat ndërkombëtare, duke arrestuar dhjetëra aktivistë paqësorë, përfshirë Greta Thunberg. Anijet ushtarake përdorën ujë dhe nëndetëse për të frikësuar ekuipazhin që po dërgonte ndihma në Gazë, duke ngritur shqetësime për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Juristja Miriam Moreno, në bordin e anijes Shiren, po dokumenton ngjarjen për qëllime ligjore.
"Në përfundim të këtij misioni, do të dorëzojmë një raport që do të përfshijë të gjitha këto shkelje të të drejtave të njeriut, të së drejtës ndërkombëtare, të së drejtës detare dhe shumë të tjera. Dhe ajo që duam të theksojmë është se nuk bëhet fjalë vetëm për flotiljen, apo jo? Pika qendrore në këtë situate, sigurisht që na intereson që të respektohen të drejtat e kolegëve tanë, por ajo që na shqetëson më së shumti është se njerëzit vazhdojnë të vriten në Gazë, të dhunohen në Bregun Perëndimor dhe të grabiten nga shteti i Izraelit.”, - deklaroi juristja në flotiljen Globale Sumud, Miriam Moreno.
Ngjarja është ndjekur me vëmendje të madhe drejtpërdrejt dhe menjëherë pas arrestimit të pjesëtarëve në bord kanë shpërthyer protesta të mëdha në të gjithë botën. Studentët spanjollë kanë bllokuar rrugët e qyteteve për të kërkuar drejtësi.
"Jemi këtu për të treguar se lëvizja studentore është në anën e drejtë të historisë, në anën e popullit palestinez, të fëmijëve, grave dhe burrave të tyre – dhe se ne jemi për lirinë e tyre.", - theksoi sekretarja e përgjithshme e Unionit të Studentëve, Koral Latore.
"Ata, ushtria izraelite, kanë hyrë në ujëra që nuk janë të tyre dhe kjo është terrorizëm, në thelb.", - tha një protestuese në Spanjë.
"Kjo nuk është një luftë. Është gjenocid. Ata po shkelin të gjitha rregullat e luftës, si bombardimi i spitaleve, shkollave...", - tha një protestues tjetër në Spanjë.
"Evropa nuk po bën absolutisht asgjë. Duhet të dalim në rrugë për të protestuar për atë që po kalojnë vëllezërit tanë palestinezë në Gazë.", - u shpreh një protestuese në Spanjë.
"Në këtë moment, ajo që është e rëndësishme, urgjente dhe në të cilën jam fokusuar gjatë gjithë natës, është që të respektohet integriteti i tyre fizik dhe të drejtat e tyre, që ne t’u ofrojmë mbrojtje konsullore, që të mund të kontaktojmë me ta sa më shpejt të jetë e mundur, sapo kjo të jetë e garantuar dhe që ata të kthehen në Spanjë në liri totale, që është vendi ku ata duhet të jenë, në liri totale.", - theksoi ministri i Jashtëm spanjoll, Hose Manuel Albares.
Në Turqi, mijëra protestues marshuan në Stamboll dhe qytete të tjera. Në Tunizi, aktivistë marshuan në kryeqytetin Tunis duke dënuar veprimet izraelite. Në Argjentinë, njerëz u mblodhën në Buenos Aires. Në Tripolin e Libisë, qytetarë protestuan në sheshe publike kundër ndërhyrjes izraelite.
Në Marok, protesta për flotiljen Sumud shoqërohen nga thirrje të disa demonstruesve për rrëzimin e monarkisë kushtetuese dhe reforma të thella politike.
Në Itali protestuesit bllokuan stacionin dhe platformat, duke brohoritur në mbështetje të Palestinës dhe kundër Izraelit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
