Botë

Rihapet Aeroporti i Munihut, detektohen dronët

03.10.2025 13:48

Në Aeroportin e Munihut në Gjermani kanë rinisur fluturimet...

Në Aeroportin e Munihut në Gjermani kanë rinisur fluturimet, pasi u detektuan disa dronë që detyruan autoritetet të mbyllnin aeroportin gjatë natës.
 
Më shumë se 30 fluturime u anuluan në Munih për shkak të dronëve që u panë mbrëmjen e së enjtes, duke lënë të bllokuar pothuajse 3 mijë pasagjerë. Fluturimet rinisën sot dhe sipas të dhënave të ueb-faqeve që gjurmojnë fluturimet, fluturimi i parë nga ky aeroport u realizua në orën 05:50.
 
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të identifikuar origjinën e dronëve. Ditë më parë presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, paralajmëroi Evropën se inkursionet e fundit me dronë tregojnë se Moska po synon që të “përshkallëzojë” agresionin e saj.
 
Gjatë kësaj jave edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan në Kopenhagë për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së bllokut dhe për të krijuar një “mur për dronët”. Rusia ka deklaruar se këto plane të BE-së do të përshkallëzojnë situatën.