Botë
Dronë në hapësirën ajrore evropiane, rihapet sërish Aeroporti i Munihut
03.10.2025 14:45
Aeroporti i Munihut është vënë përsëri në funksion pasi ishte mbyllur...

Aeroporti i Munihut është vënë përsëri në funksion pasi ishte mbyllur për gati shtatë orë për shkak të dronëve që janë parë në zonë, duke shkaktuar anulimin dhe devijimin e dhjetëra fluturimeve për 3.000 udhëtarë.
Ky incident është i fundit në një seri incidentesh në Evropë nga dronë të panjohur, për shkak të të cilave Danimarka ka ndaluar përdorimin e dronëve civilë në hapësirën e saj ajrore. Kjo masë u mor për të parandaluar ngatërrimin e dronëve të huaj me ata të ligjshëm.
Këto shkelje të shpeshta nga dronët, si dhe sulmet e fundit ruse në hapësirën ajrore evropiane, kanë bashkuar liderët në Samitin e Kopenhagës, duke nxjerrë në pah nevojën për një mburojë evropiane kundër dronëve dhe përforcimin e kufirit lindor. Në margjinat e samitit, Ukraina mbeti në qendër të takimeve midis Zelenskit dhe aleatëve perëndimorë.
"Të gjithë po shohim se Rusia po i intensifikon veprimet e saj destruktive dhe ajo që tani është më e rëndësishme për sigurinë e Evropës është vullneti politik. Ka një vendosmëri të qartë për t’i përgjigjur rrezikut në rritje nga dronët. Të gjitha këto incidente tregojnë nevojën për veprim të përbashkët.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërsa Perëndimi forcon strategjinë e tij të sigurisë kundër agresionit rus, Putini akuzoi Evropën se po e zgjat luftën në Ukrainë dhe bllokon procesin paqësor. Ai pretendon se “regjimi i Kievit” do të detyrohet të ulet në tryezën e negociatave për shkak të mungesës së forcave njerëzore dhe se furnizimi me raketa “Tomahavk” nuk do ta ndryshojë situatën, por vetëm do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis Rusisë dhe ShBA-së.
"Të gjitha vendet e NATO-s janë në luftë kundër nesh. Përgjegjësia për dështimin për t’i ndalur luftimet nuk qëndron te shumica, por te pakica, kryesisht Evropa, e cila vazhdimisht kërkon konflikt. Në Evropë është themeluar një qendër e veçantë që mbështet gjithçka që bëjnë forcat e armatosura ukrainase.", - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Ndërkohë, vazhdojnë betejat e ashpra në teren. Forcat ruse kryen sulme të kombinuara me dronë dhe raketa në lindje të Ukrainës, duke goditur rajonet Dnipropetrovsk dhe Poltava.
Si përgjigje ndaj këtyre sulmeve, Kievi reagoi me një goditje të fuqishme ndaj Rusisë, duke shënjestruar një fabrikë kimike në Urale, rreth 1.700 kilometra larg nga kufiri ukrainas.
FARIJE DAUTI BAKIU
