Maqedoni
Zjarri në Koçan, Gjykata Penale miraton aktakuzën në tërësi
03.10.2025 15:04
Këshilli i gjykatësve penalë pranë Gjykatës Penale në Shkup...

Këshilli i gjykatësve penalë pranë Gjykatës Penale në Shkup, ka miratuar në tërësi aktakuzën për rastin tragjik me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Sipas këtij organi gjyqësor, këshilli ka vlerësuar përmbushjen e të gjitha kushteve të parapara me ligj.
Me këtë aktakuzë, para gjykatës do të dalin 37 persona, prej të cilëve 3 persona juridikë, të cilët ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Lënda është dorëzuar tek gjykatësi, i cili tashmë duhet ta caktojë seancën e parë. Nga Gjykata Penale vonesën e vlerësimit të aktakuzës e arsyetojnë me faktin e ndryshimeve të shpeshta të masave për sigurimin e të dyshuarve.
“Sipas sistemit AKMIS, lënda i është shpërndarë një gjykatësit kompetent për procedurë të mëtejshme, ndërsa palët dhe opinioni do të njoftohen për të gjitha veprimet e mëtejshme procedurale që lidhen me çështjen konkrete. Meqë bëhet fjalë për aktakuzë me 37 të akuzuar, e që kanë 33 avokatë, shpërndarja e aktakuzës tek të gjithë ishte jashtëzakonisht e vështirë, sidomos për arsyen se për një pjesë të tyre, masat e paraburgimit ishin zëvendësuar, ashtu që në momentin e dorëzimit, kryetari i Këshillit për vlerësimin kishte pengesa në vërtetimin se, cili i akuzuar, çfarë mase ka dhe ku ndodhet, që të mund të kryhet dorëzimi.
Siç njoftojnë nga Gjykata Penale, dy gjykatëse paraprakisht të caktuara për në këshill, janë tërhequr për arsye se njëra ka lidhje familjare me një të dëmtuar, ndërsa tjetra gjykatëse për arsyen se vajza e saj është avokate e njërit prej të akuzuarve.
Në tragjedinë në klubin e natës “Puls” në Koçan, më 16 mars humbën jetën 62 persona, ndërsa 150 të tjerë u lënduan. Familjet e viktimave nëpërmjet marsheve paqësore vazhdimisht kanë kërkuar llogaridhënie nga institucionet, që tragjedia ku humbën jetën me të afërmit e tyre të gjykohet sipas drejtësisë dhe ligjeve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
