Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, AKI në kërkim të votës në Butel dhe Shutkë
03.10.2025 15:23
Më 19 tetor shqiptarët e Butelit e kanë në dorë mundësinë...

Më 19 tetor shqiptarët e Butelit e kanë në dorë mundësinë që ta bëjnë historinë, ta thyejnë tabunë se komuna e Butelit nuk mund të qeveriset nga një shqiptar.
Kështu ka deklaruar kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Butelit, Isamedin Azizi, duke shtuar se shqiptarët përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë në këtë komunë, prandaj duhet të jenë vendimmarrës dhe sovran në komunën e tyre.
Ai njëherësh zotohet se do të punojë me nder dhe transparencë për të gjithë qytetarët e komunës së Butelit, pa kurrfarë dallimesh.
“Zgjedhjet në Butel nuk janë për retorikë, por për shërbime më të mira, arsim cilësor, infrastrukturë moderne dhe barazi për të gjithë. Nëse ka diçka që është më shumë se zgjedhjet, atëherë është vendosmëria jonë për t’i thënë mjaft ndarjes dhe për të zgjedhur bashkë një të ardhme të drejtë e të barabartë. Ky është një moment historik, një mundësi që shqiptarët e Butelit të kenë një kryetarë që do të punojë me nder, me transparencë dhe për të gjithë, pa dallime.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Butelit, Isamedin Azizi.
Sipas tij, kundërkandidati nga VMRO-DPMNE, kryetari aktual Darko Kostovski, me deklaratat e tij po bën përçarjen e qytetarëve të kësaj komune në bazë etnike, duke synuar mobilizimin e popullatës maqedonase. Këtë, sipas Azizit, e dëshmojnë deklaratat e Kostovskit se këto zgjedhje janë më shumë se politike.
Ai ka prezantuar mbrëmë kandidatët për këshilltarë komune në Shuto Orizare, ku lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, ka theksuar se Aleanca Kombëtare për Integrim, u formua pasi edhe në anën tjetër u krijuan aleanca, prandaj sipas Ahmetit nuk na duhen parti kur poshtërohet dhe denigrohet shqiptari në këto troje.
A ka poshtërim më të madh se sa të vihet në diskutim gjaku i derdhur për gjuhën shqipe apo për Marrëveshjen e Ohrit, tha Ahmeti.
“Marrëveshja e Ohrit është e larë me gjak, gjuha shqipe e larë me gjak, përfaqësimi i drejtë. Si marrin guximin të rrënojnë e të hedhin Marrëveshjen paqësore të Ohrit e garantuar nga ShBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe e ka vulosur UÇK-ja?!”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga barazia dhe shtetbërja ku shqiptarët janë realitet nuk ka asgjë të keqe Maqedonia, tha Ahmeti, duke shtuar se shqiptarët janë në tokat e veta në këtë vend. Ai theksoi se shqiptarët kanë kontribuar edhe për avancimin e bashkëqytetarëve maqedonas, për historinë e tyre, për kulturën e tyre, për gjuhën e tyre.
Projekti i AKI-së është anëtarësimi i vendit në BE në aleancë dhe miqësi të përhershme me Amerikën dhe të rreshtuar me të gjitha kontributet në NATO.
Duke pasur problem me fqinjët nuk mund të jesh në rehati, prandaj ne duam zero problem me fqinjët. Të pranishmëve në komunën e Shutkës iu drejtuan edhe bartësi i listës së kandidatëve të AKI-së për këshilltarë komunalë, Zaim Leskovica, bartësi i listës për qytetin e Shkupit, Abdil Selam Selami dhe kandidati për kryetar të Shkupit, Skender Rexhepi-Zejd.
GYLTENE SINANI
