Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, Kasami e Limani vazhdojnë shpalosjen e programit
03.10.2025 16:00
Kandidati i Koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Tetovës...
Kandidati i Koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Billall Kasami, ka vazhduar me shpalosjen e programit të tij zgjedhor. Ai ka prezantuar projektin për infrastrukturën e kanalizimeve atmosferike. Sipas tij, ky kanalizim do të përmirësojë dukshëm infrastrukturën, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Tetovës.
“Jemi këtu te projekti i kanalizimit atmosferik tek lagjja jashtë Vardarit dhe kompleksit Teteks, së bashku me bllokun urban 59. Gjithsej gjatësia e këtij projekti të kanalizimit është 2.5 kilometra – kanalizim atmosferik në të gjithë këto segmente. Investim prej 52 milionë denarë. Gjithashtu po bëhet edhe kanalizimi atmosferik në Bulebardin VS-Bato.”, - deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas Kasamit, ky projekt kanalizimi parashihet të jetë me gjatësi prej 1.150 metra dhe do të kushtojë 25 milionë denarë. Kasami premtoi se do ta zgjidhë problemin me kanalizimin edhe në rrugën Dardania.
Ai tha se aty parashihet të ndërtohet kolektori për kanalizimin atmosferik në gjatësi prej 950 metra, që do të kushtojë diku 19 milionë denarë. Kasami theksoi se do të ndërtohet gati 5 kilometra infrastrukturë të kanalizimit atmosferik, që, sipas tij, do të kushtojë mbi 96 milionë denarë investim në rrjetin e kanalizimit atmosferik të Tetovës.
Me këtë investim, Kasami tha se do të largojnë rreziqet nga përmbytjet, do të mbrohen qytetarët dhe infrastruktura rrugore njëkohësisht. Kasami premton se Tetova do të vazhdojë të zhvillohet në çdo segment, duke shtuar se koha e stagnimit ka kaluar. Njëherësh ai potencoi se nëse do të marrë mandatin e ardhshëm për kryetar të Tetovës, premton se Tetova do të transformohet tërësisht.
Ky zhvillim i Tetovës do të vazhdojë edhe më shumë, edhe më mirë edhe më fuqishëm, theksoi më tej Kasami. Ndërkohë kandidati për kryetar të Kërçovës nga koalicioni VLEN, Fatmir Limani, duke shpalosur programin e tij është zotuar se nëse e marr mandatin e kryetarit të komunës, Kërçova do të ketë spital të ri.
“Nuk e bëri as Titoja që e filloi, nuk e bëri Gligorovi, nuk e bëri Cërvenkovski, nuk e bëri Gruevski, nuk e bëri Zaevi e Kovaçevski, nuk e bënë edhe këta tonët që ishin paraprakisht dhe unë prej këtu betohem se bashkë me ju, bashkë me të gjithë këshilltarët do ta bëjmë.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Kërçovës, Fatmir Limani.
Spitali i Kërçovës ishte një premtim i pa mbajtur për qytetarët nga shumë politikanë, tha Limani, sipas të cilit kjo çështje nuk u përmbyll nga asnjëri nga politikanët e zyrtarët që dhanë premtime në 40 vitet e kaluara.
Limani duke kërkuar votën e kërçovarëve për kandidatët e VLEN-it tha se, nëse ky premtim nuk mbahet, nuk ia vlen të qëndrohet në detyrë.
FITORE DEMOLLI
