Fondi i Sigurimit Shëndetësor, 15 ankesa për ndërhyrje të dyshimta kardiake

03.10.2025 18:47

15 ankesa të reja nga pacientë për ndërhyrje...

15 ankesa të reja  nga pacientë për ndërhyrje të dyshimta kardiake kanë arritur në Fondin e  Sigurimeve Shëndetësore, deklaroi sot drejtori i Fondit Shëndetësor. 

5 ankesa janë adresuar nga individë dhe 10 nga institucionet,  ndërsa përfshijnë periudha të ndryshme dhe më e vjetra ka të bëjë me rast  që ka ndodhur në vitin 2010. 
 
Të njëjtat janë deleguar në Ministrinë e Shëndetësisë për procedim të mëtutjeshëm. 
 
"Ka tre kategori ankesash, njëra është kur pacientëve mund t'u jetë bërë një ndërhyrje dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje, e dyta është kur pacientëve duhet t'u ishte dhënë një shërbim i caktuar dhe ajo që duhej bërë nuk është bërë, në disa raste është bërë më shumë në disa raste më pak. Kategoria e  tretë ka të bëjë me pacientët te të cilët ajo që është bërë nuk ka qenë e dobishme në kuptimin që  u janë bërë ndërhyrje që mund të jenë në fazën terminale dhe ndërhyrjet nuk kanë çuar në përmirësim të gjendjes së tyre shëndetësore ose në një zgjatje të jetëgjatësisë së tyre".
 
Drejtori i Fondit Shëndetësor alarmoi se ambulancat rurale nuk kanë kuadër të mjaftueshëm. Nga 96 mjekë amë  që janë planifikuar për mjediset rurale funksionojnë vetëm 44, përderisa mungojnë 52. 
 
Sipas tij, duhet të ndërmerren masa të cilat do të inkurajonin mjekët e rinj të punojnë në mjedise rurale. 
 
"Shumë shpejt  do të duhet të mendojmë për vendet e vogla që nuk janë të përcaktuara si rurale. Në Resnjë ka vetëm 3 mjekë amë, marrë parasysh strukturën demografike të mjekëve, parashohim për 10-15 vite se do të kemi krizë serioze për mbulimin e këtij rajoni. E tërë Evropa po përballet me mungesë të mjekësisë primare. Nëse shohim se kjo po paraqet problem, duhet të veprojmë që në dhjetë vitet e ardhshme të mos përjetojmë kriza të tilla.”, - deklaroi drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski.  
 
Drejtori i Fondit Shëndetësor theksoi se publiku nuk duhet të presë rezultate të shpejta dhe se nuk është e dëshirueshme të ketë rezultate të shpejta, pasi ato do të ishin të gabuara. 
 
Do të jetë i nevojshëm një proces më i thellë hulumtimi për t’i kuptuar gabimet dhe për të kthyer besimin e qytetarëve në këto segmente të shëndetësisë. (Arlinda Baftiu, TVM2)