Zgjedhjet lokale 2025, LSDM prezanton kandidatin në Aerodrom
03.10.2025 20:29
Lidhja Socialdemokrate në tribunën qytetare....

Lidhja Socialdemokrate në tribunën qytetare në komunën e Aerodromit ka prezantuar kandidatin për kryetar të komunës, Aleksandar Trajanovski.
Ai prezantoi planet e tij për transformimin e plotë të komunës, nga një mjedis i pastër e i gjelbër, te arsimi i digjitalizuar dhe deri te futja e një shërbimi lokal për ndihmë paramjekësore.
Ai paralajmëroi reforma të shërbimeve komunale me rritje të pagave, pajisje të reja dhe larje të rregullt të rrugëve.
Theksoi se do t'i japin fund një menaxhimi skajshmërisht të papërgjegjshëm dhe të keq. Duke sqaruar se Aerodromi nuk guxon të bëhet edhe një deponi e Shkupit.
Trajanovski paralajmëroi ndërtimin e dy çerdheve të reja në Miçurin dhe Novo Lisice dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, me qëllim që të zgjidhet problemi me listat e pritjes.
Në arsim paralajmëroi digjitalizim dhe heqjen e mbledhjes së mjeteve nga prindërit për nevoja elementare.
Përveç kësaj, paralajmëroi ndërtimin e një godine komunale, si dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore me komunat fqinje.
"Me ndërtimin e parkingjeve të reja, garazhe në kate dhe riorganizim të tërësishëm të parkimit e zgjidhim këtë problem të hidhur në komunën tonë. Aerodromi duhet të zhvillohet në mënyrë të planifikuar. Aerodromit i mungon më shumë gjelbërim, terrene sportive dhe për fëmijë, parqe për kafshë shtëpiake dhe më shumë hapësirë për pushim dhe relaksim. Aerodromi duhet të bëhet komunë moderne dhe efikase energjetike dhe për këtë arsye do të ketë edhe ndriçim të ri smart në të gjitha parqet, fushat sportive dhe oborre të shkollave.”, - theksoi kandidati për kryetar të Aerodromit nga LSDM, Aleksandar Trajanovski.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në fjalimin e tij kritikoi qeverisjen e VMRO - DPMNE-së në nivel lokal dhe shtetëror.
"Ta jepni të gjithë votën për numrin pesë, për komuna të mirëmbajtura mirë në Shkup, për kandidatët e LSDM-së. Këtu për qytetin e Shkupit, për projekte të realizueshme, jo për projekte të rrejshme, që do t’i thonë ashtu siç u kujtohet kur zgjohen në mëngjes. Sot Orce Georgievskit i është kujtuar që në Shkup do të ketë tren. Ku do të jetë stacioni kryesor hekurudhor? Me gjasë në pallatin e bardhë, atje do të ketë edhe kontrollor të biletave.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Para të pranishmëve foli edhe kandidatja për kryetare të qytetit të Shkupit, Kaja Shukova. Ajo veçanërisht u ndal te deponia Vardarishte, ku ofroi një plan konkret për zgjidhjen e problemit me këtë burim të rrezikshëm të ndotjes, përmes mbikëqyrjes së fortë dhe menaxhimit sistematik të mbeturinave.
Ajo theksoi se kjo nuk është edhe një mbrëmje tjetër politike, por përpjekje për t’i kthyer kuptimin politikës lokale, e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. (Florije Kamberi, TVM2)
