Maqedoni

Aktakuzë për vrasjen e shtetasit turk në Shtip

04.10.2025 11:55

Prokuroria Themelore Publike në Shtip paraqiti Aktakuzë kundër pesë shtetasve turq të përfshirë në vrasjen e Enes Ozdemir nga Turqia...

Pas zhvillimit të procedurës hetimore, Prokuroria Themelore Publike në Shtip paraqiti Aktakuzë kundër pesë shtetasve turq të përfshirë në vrasjen e Enes Ozdemir nga Turqia në muajin maj të këtij viti.
 
Njëri nga të akuzuarit ngarkohet për kryerjen direkte të veprës penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 1, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armës me të cilën është kryer vrasja, në përputhje me nenin 396 paragrafi 1 të Kodit Penal.
 
Tre nga të akuzuarit e kanë ndihmuar atë ta kryejë veprën penale dhe do të përgjigjen për vrasje në lidhje me nenin 24, ndërsa një e akuzuar tjetër ngarkohet për ndihmë ndaj kryerësit pas kryerjes së veprës së rëndë penale, sipas nenit 365 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
 
I akuzuari i parë, 21-vjeçar pa qëndrim të rregulluar në vend, në fillim të majit nga një person i panjohur në Shkup kishte blerë në mënyrë të paautorizuar armë zjarri gjysmë-automatike – pistoletë e markës „FEG“, kalibër 9 mm, me të dhënat për modelin dhe numrin serik të fshira. Përmes aplikacioneve telefonike ishte marrë vesh me viktimën më 8 maj që të takoheshin në një kafene në qendër të Shtipit. Ulen në një nga tavolinat në qoshe të tarracës verore të kafenesë dhe biseduan rreth 15 minuta. Në një moment, i akuzuari shkoi në tualet dhe menjëherë u kthye, nxori pistoletën dhe filloi të qëllonte drejt viktimës, duke i shkaktuar gjashtë plagë me armë zjarri nga të cilat ai vdiq.
 
Tre të akuzuar, megjithëse e dinin dhe ishin të vetëdijshëm për qëllimin e tij për t’i marrë jetën viktimës, i kishin ofruar mbështetje logjistike për realizimin e krimit. Kur i akuzuari i parë mbërriti në Shkup, më 30.04, ata i kishin siguruar akomodim në një banesë që edhe ata e kishin përdorur më parë për një periudhë më të gjatë, si dhe e kishin ndihmuar përmes personave ende të panjohur ta siguronte pistoletën. Ditën e vrasjes, me veturën e njërit prej të akuzuarve, së bashku e kishin transportuar në Shtip.
 
Pas kryerjes së vrasjes, për të mos u zbuluar, e thirrën edhe të akuzuarën e pestë që t’i transportonte me një automjet në pronësi të saj, dhe të gjithë së bashku u nisën drejt Shkupit. Kur arritën para pikës së pagesës për autostradë „Milladinovci“ dhe vunë re se aty ishte vendosur një veturë policie që kryente kontroll, e akuzuara, edhe pse e dinte se i akuzuari i parë ishte kryesi i vrasjes dhe se kërkohej nga policia, u përpoq ta ndihmonte të mos zbulohej dhe kaptej. Ajo e ndali veturën rreth 300 metra para pikës së pagesës, duke i mundësuar autorit direkt të dilte dhe të fillonte të ikte jashtë karrexhatës, përgjatë autostradës, ku më pas u gjet dhe u arrestua.
 
Të tjerët vazhduan të lëviznin me veturë drejt pikës së pagesës dhe u ndaluan nga policia, e cila filloi t’i legjitimonte dhe të kryente kontroll mbi automjetin. Megjithëse u përpoqën të iknin, për një kohë të shkurtër u kapën dhe u privuan nga liria.
 
Për katër nga të akuzuarit prokurori publik kërkoi vazhdimin e masës së paraburgimit, ndërsa për të pestën mbeten në fuqi masat paraprake të kujdesit.