Rajon

Të hënën në Durrës samiti i Bërdo-Brijunit

04.10.2025 14:45

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës për samitin e Iniciativës Brdo-Brijuni...

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës për samitin e Iniciativës Brdo-Brijuni, me fokus të veçantë në Planin e Rritjes për rajonin.
 
Temë kryesore në këtë samit, do të jetë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor. Ky takim do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe po organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviç. Në takim pritet të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq, njoftoi zyra e presidentit slloven.
 
Iniciativa Brdo-Brijuni synon të inkurajojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt BE-së. Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”.
 
Pjesëmarrësit në samit do t’i kushtojnë gjithashtu vëmendje të veçantë zbatimit të planit të BE-së për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, i cili u mundëson vendeve të rajonit të integrohen gradualisht në BE dhe sjell përfitime konkrete për qytetarët e tyre. Për këtë qëllim, BE ka krijuar një instrument financiar për periudhën 2024-2027 me vlerë gjashtë miliardë euro.
 
LULJETA NDOKA