Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VLEN aktivitete në Gostivar e Gazi Babë

04.10.2025 15:05

Dauti apeloi te qytetarët e Gostivarit, por edhe te të gjitha subjektet politike, që kjo garë zgjedhore të zhvillohet në mënyrë dinjitoze dhe të qetë....

Kandidati për kryetar komune të Gostivarit nga radhët e koalicionit VLEN, Sebaedin Dauti, apeloi te qytetarët e Gostivarit, por edhe te të gjitha subjektet politike, që kjo garë zgjedhore të zhvillohet në mënyrë dinjitoze dhe të qetë. 
 
“Ashtu siç i njeh gjithkush gostivarasit, si mikpritës, të mençur dhe të qetë. Garën politike duhet ta shohim si një mundësi për të paraqitur ide dhe projekte për të ardhmen e Gostivarit, jo si një arsye për përçarje dhe tension. Fuqia e Gostivarit ka qenë gjithmonë tek bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe kultura e qytetarëve të tij. Le të dëshmojmë edhe këtë herë se Gostivari është shembulli i demokracisë së pjekur, mikpritjes dhe i qetësisë qytetare.”, u shpreh kandidati i VLEN-it për komunën e Gostivarit, Sebaedin Dauti.
 
Koalicioni VLEN garon me listën për këshilltarë edhe në komunën e Gazi Babës, ku bartësi i listës, Enis Zekiri, ka kritikuar kandidatin për kryetar të komunës nga radhët e LSDM-së, se në programin e tij e përmban ndërtimin e kanalizimit në lagjen Hasanbeg të Shkupit, ndërsa kanali, sipas tij, tanimë po ndërtohet. Sipas Zekirit, një premtim tjetër i rrejshëm i kandidatit të LSDM-së është edhe kopshti në Hasanbeg, i cili tashmë është në fazë realizimi. Ekziston një kontratë e nënshkruar për furnizim publik të përbashkët dhe të gjitha procedurat janë përfunduar. Ky nuk është premtim, por një projekt që është në zhvillim dhe shumë shpejt do të përfundojë plotësisht, theksoi më tej Zekiri.
 
“Kanali kryesor në Hasanbeg tashmë po ndërtohet. Kanali është pastruar, në terren është sjellë i gjithë makineria dhe të gjitha materialet e nevojshme, dhe punimet po zhvillohen çdo ditë. Këto dy projekte nuk janë “e ardhmja”, siç i paraqet kandidati, por punë reale që tashmë po realizohen nga udhëheqja aktuale dhe e ardhshme e Komunës së Gazi Babës, në krye me kryetarin, me mbështetje të fuqishme nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Ministria për Politik Sociale, Demografi dhe të Rinj.”, u shpreh bartësi listës nga VLEN në komunën e Gazi Babës, Enis Zekiri.
 
Kandidati i koalicionit VLEN, Enis Zekiri, vazhdoi më tej me akuza, duke thëne se përpjekja e kandidatit të LSDM-së për t’i paraqitur këto projekte kapitale si ide të tij është një fyerje për të gjithë qytetarët. Sipas tij, kandidati i LSDM-së nuk jeton në Gazi Babë e as në Hasanbeg, prandaj ai nuk e njeh komunitetin tonë, fakti që edhe në deklaratën e tij ai e përmendi rrugën “Alija Avdoviq”, një emër që, sipas Zekirit, prej vitesh nuk ekziston dhe se sot ajo rrugë quhet “Imer Prizreni”. Ky gabim tregon qartë se kandidati kurrë nuk ka qenë i pranishëm në Hasanbeg dhe nuk di as informatat elementare për lagjen për të cilën flet, shtoi më tej në akuzën e tij Zekiri. Ai u tha qytetarëve të Hasanbegut se duhet ta dinë të vërtetën, se këto projekte janë rezultat i një pune të planifikuar, transparente dhe të përgjegjshme të komunës dhe institucioneve. Sipas Zekirit, Hasanbegu meriton sjellje të ndershme, të vërtetë e me punë reale dhe jo manipulime dhe premtime boshe nga njerëz që as nuk jetojnë aty, as nuk dinë çfarë realisht ndodh në lagjet tonë. Sipas Zekirit Hasanbegu tashmë po sheh rezultate dhe rezultatet flasin më shumë se të gjitha deklaratat e rreme të subjekteve tjera politike. 
 
FITORE DEMOLLI