Kulturë
Përmbyllet “Skupi Festival”, skena teatrore foli në gjashtë gjuhë
04.10.2025 17:54
Përmbyllet festivali ndërkombëtar i Teatrit Skupi Festival...

Përmbyllet festivali ndërkombëtar i Teatrit Skupi Festival. Për 6 netë, skena e teatrit i foli publikut vendas në 6 gjuhë. Prurje artistike erdhën nga vende të rajonit dhe Evropës, duke e ngjallur jetën teatrore në kryeqytet dhe duke i mundësuar publikut të shoh jo vetëm estetikë por edhe trajtime të ndryshme të tematikave shoqërore në skenë. Në pyetjen se a i mirëpret publiku vendas shfaqjet që flasin edhe përtej një prizmi ballkanik, apo inercioni me shfaqjet që i flasin në gjuhën e vet është i dukshëm, drejtori artistik i festivalit shprehet se barriera linguistike është ekzistente, po është detyrë e festivaleve që ta ballafaqojnë publikun edhe me risitë e zhvillimeve teatrore, ekonomike, sociale të ndryshme për të parë dhe krahasimet se ku qëndrojmë si shoqëri.
“Festivalet sjellin estetika, prodhime teatrore të ndryshme që zhvillohen dhe ngjallen nëpër rajone dhe vende të ndryshme të Evropës dhe botës, dhe është mirë që sidomos njerëzit që e duan teatrin dhe ata që e prodhojnë e bëjnë teatrin, t’i shohin, edhe festivalet këtë qëllim kanë, shkëmbimin e vlerave mes kombeve dhe kulturave të ndryshme, rrymave dhe estetikave të ndryshme teatrore.”, u shpreh drejtori Artistik i Skupi Festival, Osman Ahmeti.
Për artistët internacional, takimet e këtilla artistike janë mundësi për të komunikuar mesazhe të fuqishme.
“Këto takime artistike janë të rëndësishme që t’i tregojmë dhe dëshmojmë politikës se si ne bota e kulturës mund të kuptohemi në një mënyrë shumë më normale.”, u shpreh drejtori i Teatrit Kombëtar Ivan Vazov, Bullgari, Vasill Vasilev.
“Sa i përket audiencës, ekziston faktori i barierës së gjuhës dhe po mendoheshim nëse do të arrinim të kuptoheshim ose jo, por kemi përdorur më shumë gjuhën e gjestikulacioneve fizike dhe teatrit fizik dhe kjo tërësisht e shmangu barrierën gjuhësore dhe ishte një eksperiencë e shkëlqyer për ne, kemi performuar një natë më herët dhe kemi impresione dhe ndjeshmëri fantastike.”, u shpreh Senem Xhevher, regjisore në Teatrin Hera, Stamboll.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, u zhvilluan edhe festivalet teatrore në Tetovë, Gostivar dhe Dibër, fakt ky që ngriti diskutime për një muaj të hovshëm me shfaqje teatrore, që pasohet me letargjinë e ofertave kulturore për publikun, sipas drejtorit Ahmeti. Festivalet kanë publikë pothuajse të njejtë dhe do të ishte në të mirën e publikut që t’i lejohet hapësirë për t’i ndjekur të gjitha festivalet.
“Është mirë edhe publikut t’ia lëmë hapësirën që të zgjedh, të ketë mundësi që t’i përcjellë edhe këtu edhe në Tetovë, edhe në Kumanovë edhe në Gostivar edhe Dibër, nuk e di ka qenë rastësi apo e qëllimshme, ne datat i kemi para një viti, ta dinim që do të ishin zgjedhjet këto ditë ne do të ishim spostu por kemi punë me produksione që ta kërkojnë datën një vit më herët.”, u shpreh drejtori Artistik i Skupi Festival, Osman Ahmeti.
Festivali përmbyllet me shfaqje Gjysmë jeta e Marie Curie të teatrit Metropol nga Tirana, dhe ceremoninë e ndarjes së çmimit Grand Prix për shfaqjen më të mirë.
ARLINDA BAFTIU
