Botë
Hamas i gatshëm për lirimin e plotë të pengjeve, palestinezët nën dyshime dhe shpresë për armëpushim
04.10.2025 18:37
Izraeli është i gatshëm të dërgojë delegacion në Egjipt për të biseduar rreth planit të Paqes...

Izraeli është i gatshëm të dërgojë delegacion në Egjipt për të biseduar rreth planit të Paqes të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp.
“Besoj se Hamasi është i gatshëm për paqe afatgjate”-tha Trump, duke e cilësuar ditën e shpalljes së marrëveshjes së armëpushimit në Gaza si një moment historik.
“Dua të falënderoj vendet që më ndihmuan për ta realizuar këtë marrëveshje: Katari, Turqia, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe shumë të tjera. Ka pasur kaq shumë njerëz që luftuan fort për këtë. Kjo është një ditë e madhe. Do të shohim se si do të zhvillohet gjithçka. Duhet ta vendosim fjalën e fundit përfundimisht, me shkrim dhe në mënyrë konkrete.”, u shpreh presidenti i SHBA-së Donald Tramp.
Grupi rezistent Hamas ka deklaruar se është gati të fillojë bisedime për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura në kuadër të marrëveshjes për armëpushim, por nuk komentoi për kërkesat e çarmatosjes dhe largimit nga territori pas luftës.
“Jemi të gatshëm për negociata të drejtpërdrejta për zbatimin e procesit të shkëmbimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestines dhe t’i përgatisim kushtet në teren për këtë gjë. Hamasi do të refuzojë administratën e huaj në Rripin e Gazës, hyrja e forcave të huaja është e papranueshme.”, thonë nga grupi rezistent Hamas.
Banorët e zhvendosur në Gaza reaguan me shpresë dhe skepticizëm ndaj njoftimit.
“Shpresojmë që lufta të ndalojë. Mjaft më! Gjendja e njerëzve është përkeqësuar dhe situata është shumë e keqe. Jam i plagosur dhe nuk mund të lëviz ende. Gjithçka është në gjendje të rëndë, por me vullnetin e Zotit, lufta do të përfundojë dhe do të kthehemi në shtëpitë tona të shkatërruara.”, u shpreh Abu Hussein Labad, i zhvendosur.
“Këto janë lajme boshe dhe të rreme që u shërbejnë interesave të komunitetit ndërkombëtar, Izraelit dhe pengjeve izraelite që do të lirohen. Pas kësaj, armëpushimi do të dështojë dhe lufta do të rikthehet si më parë. Trump do të tërhiqet dhe Netanyahu do të vrasë më shumë palestinezë e do të na dëbojë si të dojë.”, u shpreh Mohammed Saadat, i zhvendosur nga Beit Hanoun.
Liderët evropianë shprehën optimizëm për lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndalimin e luftimeve në Gaza.
“Detyrimi i Hamasit duhet të përmbushet pa vonesë. Tani kemi një mundësi për të bërë përparim vendimtar drejt paqes. Franca do të luajë rolin e saj të plotë në përputhje me përpjekjet e saj në Kombet e Bashkuara, së bashku me SHBA-në, izraelitët dhe palestinezët dhe të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë. Falënderime për presidentin Trump dhe ekipin e tij për përkushtimin.”, u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
“Lirimi i pengjeve dhe paqja për Gazën janë afër. Gjermania mbështet plotësisht thirrjen e presidentit Tramp ndaj të dyja palëve. Pengjet duhet të lirohen. Hamasi duhet të çarmatoset. Luftimet duhet të ndalen menjëherë.”, u shpreh kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
Izraeli paralajmëron palestinezët që të mos kthehen në Gaza, pasi për një gjë të tillë është ende herët.
FARIJE DAUTI BAKIU
