Botë
Ministeriali rajonal në Tiranë, Daçiç: përpjekje për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën
22.05.2015 15:02
Garantimi i sigurisë rajonale, mbrojtja e kufijve me qëllim luftën kundër terrorizmit janë çështjet kryesore që po diskutohen në Konferencën Rajonale...

Garantimi i sigurisë rajonale, mbrojtja e kufijve me qëllim luftën kundër terrorizmit janë çështjet kryesore që po diskutohen në Konferencën Rajonale të ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore në Tiranë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, theksoi se elementi më i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit është pikërisht bashkëpunimi mes vendeve rajonale.
“Kjo mund të jetë koha që të shpenzojmë të gjitha energjitë tona në mënyrë më eficiente dhe të mendojmë për mekanizma dhe instrumente më të zgjuara, që të forcojmë bashkëpunimin rajonal. Është koha të bëjnë disa zgjidhje. Kemi nevoja për mbështetjen parlamentare, por edhe përfshirjen e aktorëve joshtetërorë nga shoqëria civile”- deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Shefi i Diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, shprehet se ka shenja për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kjo dëshmohet edhe mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Serbia ka kontribuar në stabilitetin në rajon dhe po bën përpjekje për fqinjësi të mirë, përfshirë edhe dialogun me Prishtinën. Takimet e bëra në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel synojnë ecjen përpara në bashkëpunim rajonal, prioritete këto edhe në funksion të proceseve integruese. Besoj se bashkëpunimi rajonal ngre baza për stabilitetin dhe paqen. E ardhmja e rajonit varet nga të gjithë elementët rajonal”- tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
Në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Tiranë mungoi ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Poposki, që u zëvendësua nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështjet Evropiane, Fatmir Besimi, por edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, si shenjë përgjigje ndaj notës së protestës së qeverisë shqiptare për nisjen e kërkimeve në det.
Justifikimi ishte prezenca në një nivel më të ulët, ajo e sekretarit të përgjithshëm për Çështjet Evropiane.
Zëvendëskryeministri Besimi, ndërkohë, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushatin, me të cilin kanë diskutuar mbi gjendjen momentale politike dhe sigurinë, me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë, si dhe përpjekjet që bëhen me dialogun e nisur politik.
Gjithashtu u theksua rëndësia e vazhdimësisë së bashkëpunimit dhe mbështetja mes dy shteteve në drejtim që sa më shpejtë të përmbushen standardet evropiane dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, i cili do të sjellë një ardhmëri më të mirë për të dy shtetet dhe rajonin.
SANIJE KASAMI
