Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, AKI aktivitete parazgjedhore në Studeniçan
05.10.2025 16:27
Aleanca Kombëtare për integrim ka vazhduar fushatën në komunën e Studeniçanit...

Aleanca Kombëtare për integrim ka vazhduar fushatën në komunën e Studeniçanit ku ka kërkuar mbështetje për kandidatin për kryetarë komune Ejup Abazi dhe si dhe listën e kandidatëve për këshilltarë. Kandidati për kryetar komune Ejup Abazi duke shpalosur ofertën e tij tha se kërkon votën nga banorët e kësaj komune që së bashku me listën e kandidatëve për këshilltarë komunal të realizojnë programin me të cilin garojnë në këto zgjedhje.
“Më 19 tetor të jepni përkrahjen për mua si kandidat, për listën të cilën e kemi, të marrim forcën nga Batinca, Morana, Studeniçani dhe vendbanime tjera të komunës së Studeniçanit, dhe ta bëjmë këtë aleancë e cila është kaq e fortë ta bëjmë ende më të fortë, që ti realizojmë të gjitha projektet të cilat i kemi të paraparë me programin tonë.”, u shpreh kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi.
Më 19 tetor nuk është një votë e thjeshtë, është një votë në mbrojtje të krenarisë, për ndalimin e nënçmimit dhe poshtërimit që u është bërë shqiptarëve nga qeverisja aktuale, deklaroi para banorëve të Studeniçanit, kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas tij qeveria aktuale synon abrogimin e gjuhës shqipe, tanimë e kanë hequr të gjitha dikasteret brenda qeverisë, e kanë hequr balancuesin për përfaqësimin e drejtë, si dhe digasteret që merren me kontrollin e zbatimit të gjuhës shqipe theksoi Ahmeti.
“Gjuha, balancuesi, demokracia konsensuale janë shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje që rregullon marrëdhëniet mes dy komuniteteve më të mëdha bartëse të integritetit e sovranitetit të shtetit, shqiptarëve dhe maqedonasve. Ne duam paqe.”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit politikanët e ri të vendit duhet të mësojnë dhe të lexojnë shumë më shumë libra për të kaluarën, e cila është e dhimbshme si për ne ashtu edhe për maqedonasit si një komunitet i vogël në Ballkanin e madh. Ahmeti tha se nuk duhet frymëzuar qytetarët se ky shtet është vetëm i maqedonasve, se në këtë shtet duhet të flitet vetëm gjuha maqedonase dhe se shqiptarët duhet të ikin në Kosovë e Shqipëri. Kjo është qasje e gabuar tha Ahmeti, sipas të cilit kjo nuk i bën mirë shëndetit të shtetit.
Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe kreu i ASH-së Ziadin Sela dhe ai i partië Populli, njëherit edhe kandidat për kryetarë të qytetit të Shkupit Skender Rexhepi Zejd. Fushatën e ka vazhduar edhe kandidati i AKI-së për kryetarë të Çairit Bujar Osmani i cili ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve të reja, si dhe renovimin e çerdheve ekzistuese dhe të gjitha shkollave në Çair.
GYLTENE SINANI
