Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VLEN aktivitete në Çair dhe Tetovë
05.10.2025 16:41
Koalicioni VLEN ka vazhduar aktivitetet parazgjedhore në Çair dhe Tetovë...

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga radhët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke prezantuar master planin për Çairin, i cili, siç u tha, do të japë kontribut për planin e ri gjeneral të qytetit. Duke u ndalur tek mbingarkesa e komunikacionit rrugor, Mexhiti u zotua për shkarkimin dhe lehtësimin e komunikacionit. Çairi është i vogël, por i mundësive të mëdha, theksoi Mexhiti, duke premtuar se nëse do ta marrë mandatin për kryetar komune, do të mundësojë që dukshëm të shkarkohet komunikacioni me realizimin e projekteve rrugore. Sipas Mexhitit, për momentin është realizuar bulevardi Sllovenia dhe bulevardi Bosnjë-Hercegovina.
“Bulevardi Kroacia, është vazhdimësi e Bosnje-Hercegovinës, që e lidh pjesën e Butelit me Gazi Babën, pra del në Autokomandë. Ndërsa bulevardi Mali i Zi, i cili është vazhdimësi e bulevardit Sllovenia, që e lidh prap Butelin me Karposhin, me Gjorçe Petrovin. Realizimi i këtyre dy bulevardeve dukshëm do të shkarkojë komunikacionin në rrugët e Çairit.”, u shpreh kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Mexhiti po ashtu premtoi se do të bëhet zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov, depërtimi i rrugës Xhon Kenedi për të dalë në bulevardin Nikolla Karev, apo tek rruga e Plastikave, por edhe zgjerimi i rrugës Mitat Frashëri apo Brigada Kosova-Maqedonase. Do të hapin arteriet e Çairit, theksoi Mexhiti. Ai e shpalosi idenë e ndërtimit të një unaze rreth malit të Gazi Babës, që do të ketë hyrje dalje në Autokomandë dhe në Gazi Babë. Gazi Baba e cila, sipas Mexhitit, është pjesë e rëndësishme e Çairit me diku 20 mijë banorë, do të ketë lehtësim të madh me realizimin e unazës.
Si prioritet tjetër të komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se projekti i tij përfshin edhe ndërtimin 3 mijë vendparkingje të reja në Çair, të cilin target tani e kanë rritur me planifikimin e 5 mijë vendparkingjeve. Ai përmendi edhe planin të cilin e kanë parashikuar, atë tek Sheshi Skënderbeu, ku është thënë se parkingu nëntokësorë do të jetë për 400 vetura, por me idenë e smart-parkingut, sipas Mexhitit, vendparkingjet do të shtohen në 800 vetura vetëm tek sheshi Skënderbeu.
Ndërsa Kandidati për kryetar i komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, shpalosi projektin e tij për rininë dhe sportin.
“Institucionalizimi i qendrës rinore do të jetë sigurisht në gjashtë mujorin e parë, sepse veçmë ajo qendër është funksionale, dhe në bazë të ligjit veç më duhet të funksionojë si institucion. Po ashtu ndërtimi i stadionit nga afati ligjor në bazë të kontratës që e kemi nënshkruar, revitalicimi i sallës, fillimisht jemi në procedurë të rikthimit të të njëjtës në pronësi të komunës që pastaj të vazhdojmë, sepse edhe aty kemi plot biznese.”, u shpreh kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami potencoi se në sallën që do planifikon të ndërtojë, ka shumë biznese që do të invesojnë në të dhe të zhvillojnë në bizneset e tyre.
FITORE DEMOLLI
