Maqedoni

Dita botërore e mësuesve, arsimi me probleme sistematike

05.10.2025 16:52

Sistemi arsimor në Maqedoni përballet me shumë probleme, nisur nga cikli i ulët deri në universitete....

Sistemi arsimor në Maqedoni përballet me shumë probleme, nisur nga cikli i ulët deri në universitete. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, duke numëruar ngecjet dhe rezultatet e ulëta në arenën ndërkombëtare tha se shteti duhet të merret seriozisht me ringritjen e sistemit arsimor. Qëndrimi i Janevskës pikërisht në ditën botërore të mësimdhënësve, u fokusua në rëndësinë e kthimit të dinjitetit të figurave arsimore. Për këtë arsye ministria e arsimit nisi fushatën për ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e mësuesve në shoqëri.
 
“Mësimdhënësit përballen me sfida të mëdha, nxënësit janë në mesin e nxënësve të fundit në programin ndërkombëtarë për vlerësimin e nxënësve - PISA, fakulteti Kirili dhe Metodij nuk është as në mesin e fakulteteve më të mira të listës së Shangait. Domethënë ne kemi probleme sistematike dhe këtë duhet ta zgjidhim në mënyrë sistematike. Qeveria dhe shteti janë të obliguar që të ndihmojnë në zhvillimin profesional, në arritjen e statusit shoqëror. Kthimin e dinjitetit të mësimdhënësit që të ketë vendim e merituar.”, u shpreh Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Në kuadër të fushatës, ministria e arsimit dhe Lidhja e mësimdhënëse u ndanë mirënjohje shumë mësuesve për rolin e tyre në edukimin e brezave të ri.
 
“Të jesh mësimdhënës duhet të kemi jo shkop magjik, por shumë kapacitet, njohuri, shkathtësi, të cilat kërkojnë mësim dhe investim gjatë gjithë jetës dhe përgatitje të mirë.”, u shpreh dekanja e fakultetit pedagogjik-Shkup, Marina Kamçevska.
 
Nga UNICEF-i rekomandojnë qeverinë që të vë në fokus arsimin dhe mësimdhënësit, nëse dëshirohet sistem cilësor.
 
“Duhet të punohet në ringritjen profesionale të mësimdhënëse. Sigurimin e resurseve të mjaftueshme për mësim si dhe dhënie mbështetje të fuqishme në punën e tyre.”, u shpreh përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Lesli Miler.
 
Qeveria ka investuar 67 milion euro në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke u zotuar se politikat prosperuese për arsimin do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
 
MERAL ISMAILI