Rajon
Përmbytjet në Bullgari, gjendet trupi i viktimës së katërt në Elenite
05.10.2025 17:07
Është zbuluar viktima e katërt pas përmbytjeve shkatërruese në zonën Elenite pranë Sveti Vlas...

Është zbuluar viktima e katërt pas përmbytjeve shkatërruese në zonën Elenite pranë Sveti Vlas, Bullgari, ku një qytetar rus u gjet i vdekur në një vilë në kompleksin turistik. Përmbytjet goditën rëndë zonat turistike, duke shkatërruar shtëpi, hotele dhe dyqane, ndërsa rrugët dhe infrastruktura janë dëmtuar rëndë. Mbi 200 persona u evakuuan nga zona, ndërsa emergjencat vazhdojnë të punojnë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të ndihmuar banorët. Shkak i përmbytjeve janë dy valë të mëdha të ujit që përshkuan rajonin për shkak të reshjeve të mëdha. Autoritetet kanë nisur edhe luftën kundër grabitjeve që po ndodhin pas katastrofë
“Kjo është vërtet një sasi shumë e madhe uji që ra në një kohë të shkurtër. Sipas informatave që kam, rreth 230 litra për metër katror, gjë që në një moment shkaktoi një valë të fuqishme uji, një valë malore ujë.”, theksoi ministri i brendshëm i Bullgarisë, Daniel Mitov.
Njerëz që kanë shpëtuar nga vërshimet hyjnë në ndërtesën e komunës.
“Të tre gratë e para ishin të mbuluara me baltë, sikur të kishin notuar në baltë, lakuriq, zbathur, shumica nuk kishin dokumente, asgjë. I strehuam në apartamente private. Kishte vullnetarë që ofruan shtëpitë e tyre.”, u shpreh Katya Krumova, punonjëse në komunën e Sveti Vlas.
“Shumica e njerëzve janë mirë, disa janë pothuajse të paaftë të lëvizin, por ekipi ynë arrin t’i ndihmojë dhe t’i nxjerrë madje edhe nga katet 4–5. Shumë njerëz nuk duan të lënë shtëpitë e tyre.”, u shpreh një vullnetar.
“Është tmerruese! Pamja është e frikshme. Po heqim ujin që është mbledhur, kemi sjellë lopata. Gjatë përmbytjeve është shumë e rëndësishme të mos shkelësh aty ku nuk e sheh, e patë vetë, lëviznim me shkopinj për të mos rënë. Tani ka edhe rrezik infeksionesh, me shumë gjasa.”. u shpreh Irina Zlateva, vullnetare nga "Klubi i Shpëtimit për të Ardhmen".
“Ishte ferr, mirë që u zgjuam në orën 2 të mëngjesit dhe shkuam drejt stacionit të zjarrfikësve.”, u shpreh në banor i zonës.
“Familja ime po flinte. Qeni lihte dhe e dëgjova, kështu që u zgjova për të parë çfarë po ndodhte. Pashë përmbytjen.”, u shpreh në banor i zonës.
Ekspertët shqyrtojnë ambientet për të verifikuar shkakun e përmbytjeve. Inxhinierë strukturorë kanë dalë në teren për të kontrolluar stabilitetin e ndërtesave, ligjshmërinë dhe infrastrukturën pas përmbytjeve.
“Do të fillojnë inspektimet nga Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të Ndërtimit. Nëse ka ndonjë ndërtim të paligjshëm, do të hetohen shkaqet.”, u shpreh kryetari i bashkisë Nessebar, Nikolay Dimitrov.
“Një inxhinier strukturash do të inspektojë ndërtesat e dëmtuara për sigurinë. Vullnetarë janë në rrugë për në zonë, dhe ushtria është mobilizuar gjithashtu. Janë ofruar dy ekskavatorë të kombinuar, kamionë shportë dhe një ngarkues për të nisur pastrimin e baltës, degëve dhe rrënojave nga infrastruktura.”, u shpreh guvernatori rajonal i Burgasit, Vladimir Krumov.
“Nuk mund të ndodhë një herë dhe të mos merren masa, pastaj një herë e dyte, dhe çdo herë të thërrasim ‘katastrofë’.”, u shpreh në banor i zonës.
“Njeriu ekziston për të kontrolluar disa procese në natyrë.”, u shpreh në banor i zonës.
“Gjatë përmbytjes së dy viteve më parë, uji nuk na arriti deri në këtë pikë. Doli nga lumi por jo me këto përmasa, por tani nuk ka shpëtim.”, u shpreh në banor i zonës.
Numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona janë turistë dhe të paidentifikuar, gjë që vështirëson gjetjen e të zhdukurve. Ndërkohë, vlerësimi i dëmeve ka nisur dhe pritet të zbulojë nivelin e shkatërrimeve, me humbje që mund të arrijnë dhjetëra milionë euro.
FARIJE DAUTI BAKIU
