Maqedoni

Sëmundjet e fshehta që çojnë në verbëri, glaukoma, diabeti dhe degjenerimi i makulës

05.10.2025 17:57

Shumë persona rrezikojnë të humbin shikimin pa e kuptuar, dhe kjo për shkak të disa sëmundjeve që veprojnë në heshtje....

Shumë persona rrezikojnë të humbin shikimin pa e kuptuar, dhe kjo për shkak të disa sëmundjeve që veprojnë në heshtje. Ndër to janë edhe shtypja e lartë në sy dhe diabeti. Këto sëmundje pacientët i zbulojnë shumë vonë, shpesh kur nuk ka gjasa të shpëtohet shikimi, thonë oftalmologët. Ndërsa teknologjia për diagnostikim të sëmundjeve të syrit ekziston, mungesa e ndërgjegjësimit dhe kontrollit të rregullt i lë pacientët të pambrojtur ndaj verbërisë së plotë. Këto sëmundje kronike njihen ndryshe si "verbëria e fshehtë", sepse përparojnë në heshtje dhe pacientët nuk ndjejnë asnjë simptomë deri në stadet e avancuara. Shumica e zbulojnë rastësisht gjatë një vizite okulistike për arsye krejt të tjera.
 
“Kryesorja që njihet si sëmundje e fshehtë ose e dëmtimit të shikimit është glaukoma ose shtypja e lartë në sy. Sepse kjo sëmundje fatkeqësisht nuk jep asnjëlloj simptome deri në një moshë 50 apo mbi 55 vjeçare, ku rastësisht pacientët mund të vinë te ne dhe i zbulojmë. Ndoshta ato vinë për ndonjë problem tjetër të syve por mund të zbulohet glaukoma. Përveç disa formave të glaukomës ku mund të fillojë me sulme akute, me rritje shumë të lartë të shtypjes, por ajo jep simptoma me dhimbje me skuqje dhe zvogëlim të menjëhershëm të shikimit.”, u shpreh oftamologia, Valvita Reçi.
 
Edhe diabeti përveç dëmeve të shumta në organizëm, konsiderohet armik i rrezikshëm i syve sepse i prek enët e gjakut të retinës dhe shkakton retinopatinë diabetike, një gjendje që shpesh nuk jep asnjë shenjë në fillim, por përparon drejt dëmtimeve të përhershme të shikimit.
 
“Por mund të përmendim edhe diabetin apo sëmundjen e sheqerit, si sëmundje sistemike dhe shumë e shpeshtë, e cila po ashtu është një shkaktar i zvogëlimit të shikimit. Por këtu pacientët deri diku mund të edukohen nga mjekët, qoftë familjar, qoftë endokrinologët që duhet t’i kontrollojnë sytë për shkak të diabetit edhe nëse shikimi i tyre është normal, sepse diabeti është një sëmundje që prek enët e vogla periferike të gjakut dhe në fillim prek periferinë, pastaj afrohet në qendër dhe për këtë arsye duhet një kohë më e gjatë derisa të paraqiten problemet e shikimit.”, u shpreh Reçi.
 
Po aq shqetësues është edhe degjenerimi i makulës, një sëmundje që prek zonën qendrore të retinës, pjesën që na lejon të shohim detajet, të lexojmë dhe të njohim fytyra. Shfaqet kryesisht tek femrat.
 
“Kjo është një degjenerim i lidhur me moshën. Nuk paraqitet tek të rinjtë por paraqitet mbi moshën 50 vjeçare. Rastet më të shpeshta janë te gjinia femërore. Edhe kjo ka faktorë trashëguese në pyetje dhe faktor të rrezikut: është ekspozimi në diell, ngjyra e kaltër e syve, nivelet e larta të pakontrolluara të yndyrnave. Po ashtu edhe këto pacient nuk kanë simptome të qarta të shikimit. Domethënë mund të kenë simptome të zvogëlimit të shikimit që mendojnë se mund të kenë ndonjë perde, por kur vinë tek ne mund të zbulojnë që nuk ka të bëjë me perden, por ka të bëjë me degjenerimin e makulës, që është po ashtu sëmundje kronike, e cila nëse diagnostikohet në kohë, mund të mbahet në kontroll.”, tha Reçi.
 
Oftamologia Valvita Reçi, u bën thirrje personave që kanë predispozita për këto sëmundje ose që kanë ndonjë anëtar të familjes të verbër, të vinë patjetër në kontrolle të rregullta edhe nëse nuk kanë ankesa nga shikimi. Ajo shprehet se kontrollet një herë në vit janë të domosdoshme, pas diagnostikimit shpeshtësia e kontrolleve vendoset sipas protokolleve, në tre muajën apo gjashtë muaj, varsisht prej gjendjes së tyre.
 
FARIJE DAUTI BAKIU